Komisioni i Disiplinës dënon me gjobë Kukësin, pas goditjes së arbitrit në ndeshjen e Superligës ndaj Laçit. Në bazë të rregullores, dënimi duhej të kishte qenë shumë më i ashpër.
Rasti ishte i rëndë dhe dënimi i parashikuar, tepër i ashpër. Kështu parashikon Kodi i Disiplinës, hartuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, për incidentin në ndeshjen Kukësi-Laçi në Superligë, veçse vendimi i Komisionit të Disiplinës ishte krejt tjetër.
Dënimi për klubin kuksian ishte një gjobë prej 200 000 lekësh, natyrisht të reja, bazuar në nenin 66, pika 1, ku parashikohet përgjegjësia e organizatorëve për sjelljen e gabuar të spektatorëve.
Gjithsesi, në stadiumin e Kamzës u godit arbitri anësor, që u rrëzua përtokë, mori ndihmën mjekësore, dhe po ashtu u ndërpre ndeshja për rreth 2 minuta e gjysmë.
Një rast i tillë është i parashikuar tërësisht po në nenin 66 të Kodit të Disiplinës, por në pikën 3d, që bën fjalë për hedhje të sendeve brenda rrethimit të fushës, duke shkaktuar akte dhune ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dhe ndërprerje të përkohëshme të lojës.
Ky nen, e detyron Komisionin e Disiplinës të dënojë klubin organizator me jo më pak se 8 ndeshje jashtë stadiumit të tij.
Kuptohet, në rastin e Kukësit mund të bëhet fjalë vetëm për ndeshje pa spektatorë, pasi skuadra luan gjatë gjithë sezonit në stadiume të tjera.
Kuksianët janë një nga pretendentët kryesorë për titullin kampion këtë sezon, në vendin e dytë të Superligës me 5 pikë më pak sesa Partizani.
Për momentin, nuk ka reagim nga Federata, për vendimin, apo nga klube të tjerë të interesuar si Laçi e Partizani, dhe nuk dihet nëse çështja do të kalojë në Komisionin e Apelit. /abcnews.al