Komisioni Evropian kategorizon energjinë atomike dhe gazin si energji të qëndrueshme

schedule18:00 - 2 Shkurt, 2022

schedule 18:00 - 2 Shkurt, 2022

Për këtë hap është diskutuar prej muajsh. Komisioni Evropian tani paraqiti të ashtuquajturën taksonomi. Me të, investimet në termocentralet atomike dhe me gaz konsiderohen si të qëndrueshme, në kushte të caktuara.

Autoritetet në Bruksel bënë të ditur se termocentralet bërthamore do të konsiderohen si miqësore ndaj klimës, nëse për to ekziston një leje ndërtimi deri në vitin 2045 dhe kur në vend ekziston një plan dhe mjete financiare për depozitimin e mbeturinave bërthamore.

Për sa u përket termocentraleve me gaz, kufizimet u lehtësuan edhe më tej. Sipas kësaj, investimet në termocentralet e reja me gaz deri në vitin 2030 do të konsiderohen miqësore ndaj klimës, në rast se ato zëvendësojnë ndër të tjera termocentrale më të ndotura dhe nëse ato do të ushqehen deri në vitin 2035 me gaze më miqësore ndaj klimës.

Kjo “taksonomi” duhet të inkurajojë investuesit dhe bankat që të investojnë në teknologjitë miqësore ndaj klimës për të arritur objektivat e BE për klimën.

Qeveria federale ka kritikuar më parë faktin që energjia bërthamore klasifikohet si e qëndrueshme. Të Gjelbrit druhen se kjo do të jetë në kurriz të zhvillimit të energjive të rinovueshme si era dhe dielli. Vende të tjera i kanë kritikuar gjithashtu këto plane. Austria dhe Luksemburgu kanë njoftuar se do të paraqesin ankesë.

Propozimi i Komisionit Evropian tani mund të refuzohet vetëm nga shumica në Parlamentin Evropian ose nga vetoja e të paktën 20 vendeve të BE. Deri tani, kjo konsiderohet e pamundur.

Kjo ishte përvijuar që nga samiti i BE

Duke iu referuar taksonomisë, për t’u larguar nga nafta, qymyri dhe përfundimisht gazi duhet të investohen qindra miliarda euro. Në këtë kuptim, taksonomia është “një lloj transparence” për këdo që dëshiron të investojë. Kjo ishte përvijuar që nga samiti i BE tetorin e kaluar. Në atë kohë, presidentja i Komisionit, Ursula von der Leyen la të kuptohet për propozimin e taksonomisë.

Kritika të qarta janë lëshuar nga BEUC, organizata evropiane e konsumatorëve. Sipas njoftimit të saj, jemi dëshmitarë të një “gjelbërimi” institucional të papërgjegjshëm. Pasoja do të ishte që konsumatorët do të pengoheshin të bënin investime të qëndrueshme. BEUC është një shoqatë e organizatave të pavarura të konsumatorëve.

Kemfert: “pengesë për mbrojtjen e klimës”

Ekonomisti i energjisë në Institutin Gjerman për Kërkime Ekonomike, Kemfert, sheh gjithashtu një “hap pas për mbrojtjen e klimës”. Kemfert i tha radios Deutschlandfunk se investimi po bëhej në teknologji të së kaluarës që e pengojnë Evropën të arrinte një kthesë të plotë energjetike.

Studiuesi i ekonomisë Bassen nga Universiteti i Hamburgut dyshon se lojtarët e tregut të kapitalit në zonën gjermanofolëse do të investojnë në një shkallë të madhe në energjinë bërthamore dhe gazin natyror. Bassen që është edhe anëtar i Këshillit të Qëndrueshmërisë së qeverisë federale gjermane tha për radion Deutschlandfunk se rreziku i dëmtimit të reputacionit për investitorët financiarë është shumë i madh, sepse opinioni publik në Gjermani ka një pozicionim mjaft negativ ndaj energjisë bërthamore dhe gazit. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!