Komisioni Evropian bën thirrje për lirimin e Navalnyt në dyvjetorin e helmimit të tij

schedule16:42 - 20 Gusht, 2022

schedule 16:42 - 20 Gusht, 2022

Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Evropian Josep Borrell ka kritikuar Rusinë për trajtimin e liderit të burgosur të opozitës Aleksei Navalny në përvjetorin e dytë të helmimit të tij nga një agjent nervor i epokës sovjetike, teksa ka bërë thirrje për lirimin e tij “të menjëhershëm” nga paraburgimi.

Në një deklaratë të postuar më 20 gusht, Borrell tha se komisioni “vazhdon të dënojë në termat më të ashpër të mundshëm tentativën për të vrarë” Navalnyn dhe i bën thirrje Rusisë që “të respektojë angazhimet e saj sipas Konventës së Armëve Kimike”.

Deklarata e Borrell shprehu gjithashtu keqardhjen që Moska i ka ndaluar organizatat e Navalnyt në Rusi duke i etiketuar si “ekstremiste” dhe për “persekutimin dhe burgosjen e vazhdueshme të z. Navalny dhe anëtarëve të ekipit të tij”.

Në deklaratë bëhet thirrje për lirimin e menjëhershëm të Navalnyt nga burgu dhe që Moska të përmbushë angazhimet e saj sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në gusht 2020, Navalny u sëmur rëndë ndërsa ishte në një fluturim nga Siberia në Moskë. Pasi mori kujdesin mjekësor urgjent në Omsk, ai u evakuua në Gjermani për të marrë ndihmë mjeksore, ku ekspertët përcaktuan se ai ishte helmuar nga një agjent nervor i grupit Noviçok, i njëjti lloj helmi që u përdor në tentativën për vrasjen e ish-oficerit të inteligjencës ushtarake ruse Sergei Skripal në Salisbury, Angli, në 2018-n.

Navalny ka thënë se helmimi është kryer nga operativë të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) që vepronin me urdhër të presidentit Vladimir Putin.

Navalny u arrestua menjëherë pas kthimit të tij në Rusi në janar 2021. Muajin tjetër, ai u dënua me dy vjet e gjysmë burg për një shkelje të dyshuar të lirimit me kusht gjatë rikuperimit të tij jashtë vendit. Në mars, Navalny u dënua në një çështje të veçantë me nëntë vjet burg për përvetësim dhe shpërfillje të akuzave të gjykatës që ai dhe mbështetësit e tij i refuzojnë si të motivuara politikisht. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!