Komisioni Elektoral në Turqi urdhëron ripërsëritjen e zgjedhjeve në Stamboll

schedule23:40 - 6 Maj, 2019

schedule 23:40 - 6 Maj, 2019

Në Turqi do të mbahen sërish zgjedhjet për bashkinë e Stambollit. Komisioni elektoral turk i ka dhënë të drejtë partisë së presidentit Erdogan, për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila pretendon se zgjedhjet janë manipuluar.

Komisioni elektoral në Turqi ka urdhëruar që zgjedhjet lokale në Stamboll, që në mars i dhanë fitoren opozitës, të mbahen sërish.

Ishte partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Recep Taip Erdogan që vuri në dyshim fitoren e ngushtë nga opozita, duke pretenduar për parregullsi dhe korrupsion gjatë procesit zgjedhor.

Rivotimi do të mbahet më 23 qershor. Duke reaguar, nënkryetari i partisë Republika Popullore ka deklaruar se ri-zhvillimi i procesit tregon se sistemi nuk lejon fitoren e opozitës

“Sistemi që sundon vullnetin e popullit dhe shpërfill ligjin nuk është as demokratik, as legjitim. Është diktaturë”, ka deklaruar Onursal Adiguzel.

Zgjedhjet për pushtetin lokal në Turqi u mbajtën më 31 mars dhe u konsideruan një referendum për lidershipin e presidentit Erdogan, në një kohë kur kriza ekonomike nën qeverisjen e tij kishte arritur pikun.

Edhe pse aleanca e udhëhequr nga partia e tij fitoi 51 për qind të votave në rang kombëtar, laikët e Republikës Popullore arritën fitoren në kryeqytetin Ankara, në Izmir dhe Stamboll, ku Erdogan dikur ka qenë kryetar bashkie. Që atëherë partia në pushtet ka kontestuar rezultatet, duke shkaktuar reagimin e ashpër të opozitës që pretendon se pushteti po përpiqet t’i zhvatë fitoren./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!