Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj.
Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin e datës 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Elizabeta Imeraj.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se vendimi është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe se Elizabeta Imeraj, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.
Pak ditë më parë ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që i ka dorëzuar prova të reja shtesë Komisionerit Publik për të ankimuar konfirmimin në detyrë të Elizabeta Imerajt. Kujtojmë se ONM i rekomandoi Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Imeraj, kërkesë kjo që u plotësua sot.
Lidhur me çështjen e Elizabeta Imerajt ka reaguar edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim e cila ka kërkuar që çështja të mos anashkalohet nga askush por të ndiqet me vëmendje.
(Ankim i Komisionerit Publik)/abcnews.al/