Kombëtarja udhëton drejt Skocisë

schedule19:29 - 9 Shtator, 2018

schedule 19:29 - 9 Shtator, 2018

Kombëtarja shqiptare udhëtoi drejt Skocisë me shpresën për rezultat pozitiv në Ligën e Kombeve. Siç pritej, kalimi në aeroportin e Rinasit nuk u bë në zonën VIP.

Stërvitja e fundit u zhvillua pak orë para nisjes.

Christian Panucci nuk është se zbuloi ndonjë gjë nga planet e tij për ndeshjen ndaj Skocisë, por gjithsesi, u tregua pak më tolerant sesa të shtunën, kur nuk i lejoi kamerat për asnjë minutë.

Më pas, skuadra u nis drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Durrës, ku mbërriti vetëm 15 minuta përpara sesa të nisej për në Glasgow.

Ashtu siç ishte lajmëruar më parë, kalimi nuk u bë në sektorin VIP të Rinasit, por nga hyrja e udhëtarëve të zakonshëm, pasi nuk u arrit marrëveshje me Protokollin e Shtetit.

Kombëtarja shpreson të arrijë një rezultat pozitiv në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, pas fitores 1-0 ndaj Izraelit në “Elbasan Arena”.

Skocia, ndërkaq, do të luajë ndeshjen e parë zyrtare.

Disfata 0-4 në miqësoren ndaj Belgjikës krijoi presion të madh mbi trajnerin Aleks Meklish, dhe mbi skuadrën e tij.

“Ne duhet të fitojmë – u shpreh Meklish në konferencën një ditë para ndeshjes, – e kemi detyrim që të fitojmë. Nëse barazojmë apo humbim, do të thotë se kemi bërë nisje të keqe. Duam që ta fillojmë me fitore. Jam i bindur se e kemi kaluar tronditjen e humbjes me Belgjikën”.

Mediat skoceze nuk kanë harruar të intervistojnë ish-kapitenin e Shqipërisë, dhe ish-mbrojtësin e Celtic-ut, Rudi Vatën.

“Edhe pse jetoj në Skoci, – thotë shkodrani, – nuk kam dyshime se me kë jam. Dua 100 milionë për qind që të fitojë Shqipëria”.

Dy vendet janë ndeshur ndërkaq në nivel kombëtar në futboll, veçse për femra.

Skocia i fitoi të dyja ndeshjet ndaj vajzave shqiptare, fillimisht 5-0 në fushën e saj, dhe pak ditë më parë 2-1 në Shkodër, për eleminatoret e Kupës së Botës./abncews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!