Kombëtarja shqiptare nis sot përgatitjet për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Skocisë. Ka dilema për formacionin dhe për skemat për shkak të mungesave të shumta.
E marta qenka dita e duhur.
Kombëtarja shqiptare nis punën për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Skocisë, ndërsa trajneri Panuçi, po përpiqet të gjejë formacionin dhe skemat e duhura, pas mungesave të shumta.
Dëmtimet dhe pezullimet kanë sjellë probleme në mbrojtje, mesfushë e sulm, ndërsa goditja e fundit ishte mosardhja e sulmuesit të ri, Florian Durmishaj nga Greqia.
Lojtari 22-vjeçar i Panioniosit nuk mund të dalë jashtë territorit grek, pasi do të duhet të kryejë shërbimin ushtarak prej 9 muajsh, pra Shqipëria duhet ta presë për më vonë.
Gjithsesi, trajneri italian është i vendosur për të provuar skema sulmuese, siç premtoi edhe në konferencë.
Pritet që të ketë 3-4 lojtarë ofensivë për të synuar fitoren ndaj Skocisë, diçka që është e domosdoshme, jo thjesht për të synuar një kualifikim tepër të vështirë, por edhe për të mos zbritur nga kategoria.
Ekipi përfaqësues ka në program vetëm një seancë stërvitore këtë të martë, ndërsa të mërkurën do të ushtrohet dy herë.
Më pas, të enjten do të ketë nga një seancë, dhe nga një konferencë për shtyp në Tropikal, kurse të premten, skuadra do të zhvendoset për në Shkodër, ku do të stërvitet në stadiumin “Loro Boriçi”.
Po aty, Panuçi, do të japë konferencën e fundit për shtyp përpara ndeshjes së të shtunës ndaj Skocisë. /abcnews.al