Kombëtarja nis përgatitjet me trajnerin italian

schedule13:40 - 29 Maj, 2019

schedule 13:40 - 29 Maj, 2019

Trajneri Edi Reja ka nisur seancat e plota stërvitore me kombëtaren, në prag të ndeshjeve të Europianit. Italiani do të njohë gjendjen e lojtarëve, përpara sesa të vendosë për skemat dhe formacionin.

Puna e vërtetë nis vetëm tani.

Kështu u shpreh trajneri i kombëtares, Edoardo Reja, në konferencën për shtyp, dhe kështu ndodhi me të vërtetë.

Tashmë, ekipi përfaqësues është thuajse plotësisht i plotë në kompleksin “Tropikal” në Durrës.

Futbollistët i kanë mbaruar kampionatet dhe detyrimet e tjera me klubet, ndërsa i fundit pritet të vijë kapiteni Mavraj, i cili ishte i angazhuar në plej ofin e futbollit gjerman, me skuadrën e tij, Ingolshtatin.

Portieri Etrit Berisha mbërriti paksa me vonesë në grumbullim, ndërsa mesfushori Ledian Memushaj u la të shlodhej, ndaj që të dy u bashkuan më vonë me skuadrën në stërvitje.

Trajneri italian nuk është se i lodhur shumë të përzgjedhurit e tij në seancën e parë të plotë.

Reja I ka vënë vetes detyrë të njohë fillimisht gjendjen e tyre fizike, si dhe të bisedojë për të kuptuar edhe anën psikologjike, përpara sesa të përcaktojë lojtarët e formacionit, ata të stolit si dhe skemat me të cilat do të luajë ndaj Islandës dhe Moldavisë.

Të shtunën, ai do të ketë mundësi t’i shohë lojtarët në ndeshje, pasi do të zhvillohet një miqësore me Shqipërinë U21 të drejtuar nga trajneri Alban Bushi.

Kombëtarja do të stërvitet në Shqipëri deri në 2 qershor, kur do të udhëtojë për në Frankfurt të Gjermanisë, dhe do të aklimatizohet aty deri në 6 qershor, për t’u zhvendosur më pas në Islandë.

Ndeshjet eliminatore janë në 8 qershor në fushën e Islandës, dhe në 11 qershor ndaj Moldavisë në “Elbasan Arena”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!