Kombëtarja “në ajër” për Izraelin

schedule19:13 - 6 Shtator, 2018

schedule 19:13 - 6 Shtator, 2018

Dyshime të mëdha të trajnerit të kombëtares, Christian Panuçi, për formacionin me të cilin do të luajë ndaj Izraelit. Shqetëson sidomos forma e Mërgim Mavrajt.

Të përgatitesh është një gjë, të jesh gati diçka tjetër.

Kombëtarja shqiptare mbetet një “kantier i hapur” në prag të ndeshjes ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve, me trajnerin Panucci që ende nuk duket i sigurt për formacionin.

Problemi më i madh është fakti që Mërgim Mavraj nuk është aktivizuar në një ndeshje zyrtare për shumë muaj, që kur u përjashtua nga Hamburgu.

Mbrojtësi i qendrës e gjeti ekipin e tij të ri, Arisin e Selanikut në Greqi, por kjo do të ketë vlerë për ndeshjet e tjera të kombëtares, jo për këto ndaj Izraelit dhe Skocisë.

Panucci po mendon për Veselin si alternativë të Mavrajt, ndërsa besohet se edhe Ansi Agolli nuk e ka të sigurtë vendin në formacion.

Kapiteni i kohëve të fundit mësohet se është lënë hera-herës në ekipin e dytë gjatë seancave stërvitore në kompleksin “Tropikal” në Durrës, dhe në vend të tij titullar ka qenë i riu Binaku.

Një tjetër dilemë është në mesfushë, ku trajneri duhet të zgjedhë njërin prej Lilajt dhe Lilës.

Ish-mesfushori i Skënderbeut ndihmon më shumë në organizimin e lojës, por veterani kavajas është një garanci në fazën mbrojtëse, falë përgatitjes së lartë fizike dhe karakterit të fortë.

Në sulm, pritet të luajë Sidrit Guri, ai që e ka bindur më shumë Panuccin, ndërsa Grezda e Hyka mund të luajnë nga krahët, prapa tij.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!