“Kombëtarja me 10 flamuj”, spanjollja “Marca” tjetër artikull për “Kuqezinjtë”

schedule18:16 - 23 Qershor, 2024

schedule 18:16 - 23 Qershor, 2024

Është momenti të merren me ne. Edhe pse Spanja e ka siguruar kalimin e grupit në Gjermani, sërish publiku ka interes për rivalin e radhës, dhe ky kundërshtar është Shqipëria. E përditshmja spanjolle “Marca”, pasi shkruajti më herët për Kristjan Asllanin, si “mjeshtrin e kateringut”, këtë herë ka “Legjionarët” në tërësi.

Gazeta e Madridit thekson se Shqipëria mund të cilësohet si ekipi me 10 flamuj, sepse lojtarët e saj kanë lindur në vende të ndryshme të Europës. Tetë në Shqipëri, pesë në Zvicër, tre në Maqedoninë e Veriut, tre në Kosovë, dy në Gjermani, dy në Greqi, dhe nga një në Itali, Angli dhe Spanjë.

“Marca” nënvizon se vëndet e lindjes së tyre janë 9, por flamujt bëhen 10 sepse Kosova ka qenë pjesë e një shteti tjetër në kohën kur lojtarët “Kuqezi” kanë lindur aty. Nga emrat që janë në dispozicion të teknikut Sylvinho, veçohen kapiteni Berat Gjimshiti i lindur në Zvicër, dhe sulmuesi Armando Broja, lindur në Britaninë e Madhe.

Në 13 qershor, “Marka” pati një tjetër artikull ku veçohej ekipi ynë përfaqësues, ndonëse shkrimi nuk ishte ekskluzivisht për ne. E përditshmja bëri një klasifikim të ekipeve me më shumë lojtarë të natyralizuar, pra që kanë lindur jashtë kufijve të shtetit, dhe Shqipëria ishte e para në tabelë me 19 futbollistë të tillë.

Pas neesh vijnë Kroacia e Turqia, por me diferencë të madhe sepse kanë vetëm nga 8 lojtarë të lindur jashtë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!