Kombëtarja luan në “Elbasan Arena” me Moldavinë

schedule14:59 - 1 Maj, 2019

schedule 14:59 - 1 Maj, 2019

Shqipëria nuk do të luajë në Arenën e re Kombëtare, ndaj Moldavisë në 10 qershor. UEFA konfirmon zyrtarisht se ndeshja eleminatore e Europianit do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Përfundimisht nuk do të jemi aty ku shpresuam. Kombëtarja do të detyrohet ta luajë në “Elbasan Arena” ndeshjen ndaj Moldavisë për eliminatoret e Europianit.

E njofton vetë faqja zyrtare e UEFA-s, duke konfirmuar se dëshira për ta zhvilluar duelin e 10 qershorit në Arenën e re Kombëtare në Tiranë, nuk u realizua.

Pavarësisht se në stadiumin e ri po punohet me ritme të larta dhe deri në orët e vona të natës, është e pamundur që të arrihet afati i vendosur fillimisht nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe i kërkuar me këmbëngulje nga kryeministri Rama, me shumë gjasë për ta pasur si një plus në fushatën e mundshme elektorale të zgjedhjeve vendore.

Shpresa mbetet që Arena të jetë gati në 10 Shtator për ndeshjen eliminatore ndaj Islandës, ose në nëntor për duelet ndaj Andorrës dhe sidomos ndaj Francës.

Ekipi përfaqësues ka luajtur këta muaj në “Loro Boriçi” të Shkodrës, me duelet e fundit ndaj Skocisë apo Turqisë, ndërsa në “Elbasan Arena” ndeshja e fundit ishte miqësorja fituar 1-0 ndaj Uellsit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!