Tri kombëtare shqiptare grumbullohen në Durrës, në përgatitje për Europianin. Bëhet fjalë për ekipin e femrave, për vajzat U19 dhe për kombëtaren U17 për djem.
Kanë pak kohë që kanë nisur punën, por shpresojnë të sjellin ndryshim. Trajneri i kombëtares shqiptare të femrave, Vioresin Sinani dhe ai i femrave U19, Maringlen Kule, do të kenë një tjetër seleksionim të elementëve në Durrës, me synim Europianin. Sinani tregon se çfarë do të bëjë me të rriturat.
“Këtë radhë kemi grumbulluar vajzat që lozin në kampionat shqiptar, bashkë me disa që lzoin në kampionatin e Kosovës për të parë ndonjë element të ri që do na shërbejë për ndeshjet kualifikuese. Besoj se do kemi një bazë të mirë me vajzat që lozin jashtë Shqipërie bashkë me disa që lozin në Shqipëri, kurse mendoj se ekipi ka nevojë edhe për 3-4 elementë të rinj”, tha ai.
Shqipëria nuk ka shkëlqyer tek femrat, pra çfarë objektivash ka këtë herë?
“Ato ndeshjet e mira që kemi zhvilluar deri tani të zhvillojmë prapë. Ndeshje pas ndeshje do shohim për objektiva. Nuk jemi më ai ekipi i para disa viteve. Është ekip i konsoliduar dhe mund të arrijmë gjëra të bukura. Skocia, Portugalia, Irlanda besoj se janë skuadra të forta në futbollin e vajzave, por duke luajtur në fushën tonë, ne do synojmë pikë”, tha Sinani.
Në të njëjtën kohë, dhe në të njëjtin vend, do të grumbullohet në Durrës edhe kombëtarja U17 për djem. Trajneri Elvin Beqiri do të ketë në dispozicion për 4 ditë lojtarët e përzgjedhur, përpara sesa të shkojë në turneun miqësor në Maltë. Gjithsesi, ai ka një problem
“Disa elemente nuk na janë përgjigjur pozitivisht sepse klubet nuk i kanë lejuar si në Greqi apo në Itali. Këto data nuk janë atë FIFA-s. Shpresoj të na përgjigjen nëpër ndeshje të tjera që do zhvillohen”, tha Beqiri.
Beqiri është i shqetësuar për Europianin e ardhshëm.
“Kemi fiskuar disa lojtarë që normalisht nuk janë të mjaftueshëm për të krijuar atë grupin bazë. Po mundohemi nga Skandinava të gjejmë lojtarë”, u shpreh ai.
Kombëtarja U17 do të ndeshet në Maltë me kombëtaren vendase, si dhe me Skocinë dhe Danimarkën./abcnews.al