Kombet e Bashkuara: Vazhdimi i dialogut Prishtinë-Beograd është prioritet

schedule21:27 - 24 Prill, 2020

schedule 21:27 - 24 Prill, 2020

Vazhdimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë dhe reforma institucionale, janë pritjet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare në raport me Kosovën, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Në raportin gjashtëmujor për Kosovën, që do të diskutohet sot (24 prill) nga Këshilli i Sigurimit, Guterres bëri thirrje për heqjen e shpejtë të pengesave për vazhdimin e dialogut.

“Unë jam i inkurajuar nga vendosmëria personale dhe përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borrel për rifillimit e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe disa masa të ndërmarra nga Beogradi dhe Prishtina, me mbështetjen e SHBA-së, për të nxitur integrimin dhe bashkëpunimin rajonal”, shkroi Guterres në raportin e periudhës 16 shtator 2019 deri më 15 mars 2020.

Guterres tha se përkundër sfidave, ai ishte inkurajuar shumë nga aktivitetet e një grupi të përbashkët pune për personat e zhdukur në Beograd dhe Prishtinë, i cili vazhdon të veprojë me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e UNMIK-ut dhe agjencive të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara theksoi se përparësitë e UNMIK-ut (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) mbesin angazhimi për sigurinë, stabilitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në rajon.

Raporti gjithashtu thotë se përkundër pandemisë së koronavirusit dhe masave të paraqitura nga qeveria e Kosovës, UNMIK-u është plotësisht operacional, por me aftësi të kufizuar për të zbatuar aktivitete dhe projekte.

Në emër të Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pritet të flasë ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca.

Kjo është bërë e ditur nga shefi i kabinetit të tij, Kreshnik Ahmeti.

Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë. Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës. UNMIK-u, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!