Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Ristuccia, ka thënë të martën se gjithçka që lidhet me sigurinë në Kosovë, duhet të bëhet në koordinim me këtë mision.
Në një konferencë për media në Beograd, ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse duhet kërkuar leja e KFOR-it kur është fjala për dërgimin e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës në veri.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ka thënë më 7 shtator, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani se dhjetë vjet më parë, Kosova është zotuar për të mos e angazhuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri, pa konsultim paraprak dhe miratim të komandantit të KFOR-it.
“Në përputhje me obligimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociata me KFOR-in. Ne presim konsultime për çdo veprim të forcave speciale të Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në siguri”, ka thënë Stoltenberg atë ditë.