Komandanti i KFOR-it, ushtarëve të lënduar: Parandaluat numër të madh të viktimave civile

schedule18:53 - 1 Qershor, 2023

schedule 18:53 - 1 Qershor, 2023

Komandantit i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, i vizitoi më 1 qershor ushtarët e lënduar italianë në kampin Villagio Italia në Pejë, ku i përgëzoi ata për punën që kishin bërë gjatë përleshjeve së 29 majit në veri të Kosovës.

“Jini krenarë për atë që keni bërë, keni vepruar në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke ndërhyrë mes dy palëve të kundërta dhe duke parandaluar një përplasje që sigurisht do të kishte çuar në një numër të madh të viktimave civile”, u tha Ristuccia ushtarëve të lënduar, sipas njoftimit të KFOR-it, shkruan REL.

Ushtarët e lënduar italianë do të kthehen në Itali gjatë ditëve në vijim për rikuperim, sipas edhe njoftimit nga ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Ndërkohë, një ditë më parë, Ristuccia së bashku me admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, kishin vizituar edhe ushtarët e lënduar hungarezë.

Më 29 maj, KFOR ndërhyri ndaj protestuesve serbë në Zveçan, pasi ata paraprakisht nuk iu bindën thirrjeve që të shpërndaheshin.

Protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it dhe përveç 30 ushtarëve të lënduar, është raportuar edhe për dhjetëra të lënduar nga ana e protestuesve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!