Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, ka folur për protestat e serbëve në veri të Kosovës.
Ai ka deklaruar se në Zveçan ka pasur protestues të cilët qëllimisht e kanë nxitur turmën.
“Në sheshin në Zveçan ka pasur profesionistë të protestës të cilet me dashje e kanë nxitur turmën”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin italian “La Reppublica”.
Ai ka shtuar se “Nëse nuk do të kishim ndërhyrë tani do ta mbanim zi për të vdekurit”.
Komandanti Ristuccia ka përmendur po ashtu ushtarët e KFOR-it të cilët mbetën të lënduar si pasojë e sulmeve të protestuesve.
“Siç e dini, 30 ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, u sulmuan nga një sulm frikacak gueril urban të hënën, më 29 maj”, ka thënë ai.
Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit./KosovaPress