Komandanti britanik: Rusia, kërcënimi më i madh

schedule23:00 - 24 Nëntor, 2018

schedule 23:00 - 24 Nëntor, 2018

Komandanti i ushtrisë britanike ka dhënë alarmin se Rusia përbën kërcënimin më të madh për Mbretërinë e Bashkuar dhe tërë Perëndimin. Në një intervistë, gjenerali Karlton Smith ka deklaruar se përpara rrezikut rus, ISIS dhe Al Kaeda janë një bandë amatorësh.

Rusia përbën një kërcënim shumë më të madh për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar sesa Shteti Islamik. Alarmi është dhënë nga numri 1 i ushtrisë britanike. Në një intervistë për “Deilli Telegraf”, gjenerali Mark Karlton Smith ka deklaruar se Britania nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj kërcënimeve që vijnë nga Moska.

“Rusët po përpiqen të gjejnë ku të munden pika të dobëta dhe t’i shfrytëzojnë ato”, ka thënë gjeneral Karlton Smith.

Në muajt e fundit qeveria britanike akuzoi Rusinë dhe shërbimin e saj sekret ushtarak se ishin mbrapa helmimit të ish-agjentit Sergei Skripal dhe së bijës, si dhe katër sulmeve kibernetike të profilit të lartë. Nga ana e tij, Kremlini mohon të jetë përfshirë në të dyja rastet dhe i ka cilësuar akuzat e Londrës si “fantazi të shfrenuar”. Por në intervistën e tij, komandanti i shtabit të përgjithshëm ka ritheksuar se Rusia është pa asnjë dyshim kërcënimi më i madh, që lë pas edhe grupe si Al Kaeda dhe ISIS.

“Rusia ka ndërmarrë një fushatë sistematike për të eksploruar dhe shfrytëzuar dobësitë e Perëndimit, kryesisht në disa sektorë jo tradicionalë si kibernetika, hapësira dhe lufta nënujore”, ka deklaruar Karlton Smith.

Ai ka shtuar se, Mbretëria e Bashkuar nuk mund të qëndrojë pa i kontestuar agresionet e Rusisë. Ndërkohë, duke reaguar, ambasada ruse në Londër ka vënë në lojë deklaratat e oficerit madhor.

“Komandanti i ushtrisë nuk do t’ia dijë për ISIS? Paska një vizion të madh për sigurinë globale”, thuhet në një mesazh të postuar në Twitter./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!