Kolumbia ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Izraelin

schedule11:41 - 2 Maj, 2024

schedule 11:41 - 2 Maj, 2024

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka njoftuar të mërkurën se qeveria e tij do t’i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin që nga e enjtja, për shkak të eskalimit të tensioneve ndërmjet shteteve, lidhur me luftën Izrael-Hamas.

Petro e ka përshkruar sërish rrethimin e Gazës nga Izraeli si “gjenocid”, raporton AP. Ai më parë pezulloi blerjet e armëve nga Izraeli dhe i krahasoi veprimet e atij vendi në Gaza me ato të Gjermanisë naziste.

“Nesër marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Izraelit do të ndërpriten…për shkak të pasjes së një presidenti gjenocidal”, ka thënë Petro gjatë një marshi për Ditën Ndërkombëtare të Punës, në kryeqytetin kolumbian.

“Nëse Palestina vdes, vdes humaniteti, dhe ne nuk do ta lejojmë atë që të vdesë”, ka shtuar ai. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz i ka qortuar komentet e Petros, në platformën X.

“Historia do të kujtojë se Gustavo Petro vendosi të qëndrojë me përbindëshat më të neveritshëm të njohur për njerëzimin, të cilët dogjën foshnjat, vranë fëmijë, përdhunuan gra dhe rrëmbyen civilë të pafajshëm,” ka shkruar Katz. Disa javë pas sulmit të 7 tetorit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit, që shkaktoi luftën në Gaza, dhe gjatë të cilit mbetën të vdekur rreth 1,200 persona, Petro ka tërhequr ambasadorin e saj në Izrael.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!