Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima thotë se ata që kanë vonuar legalizimin e kanabisit mjekësor duhet të kërkojnë ndjesë. Në studion e “Log.”, Kokëdhima, i cili e ka propozuar një gjë të tillë kohë më parë tha se falje duhet të kërkohet për të gjithë ata që e kanë pasur të nevojshme për trajtim shëndetësor.
“Në Shqipëri nga kanabisi ka përfituar mafia dhe politika. Por nuk duhet të ki frikë të dëgjojmë se çfarë është në interes të ekonomisë.
Më ka shqetësuar shumë kjo çështje për mënyrën sesi ne i trajtojmë problemet. Dakord, mund të kemi shumë gjëra që vlejnë në një debat. Por kur flasim për rininë duhet të kemi një preukopim shumë të madh. Duhet ta mësojmë rininë tonë që ta jetojë këtë botë pa frikë.
Për kanabisin medikal janë dy çështje. E para janë liritë dhe të drejtat e shqiptarëve që ta përdorin për nevojat e tyre shëndetësore. Kjo duhet të jetë e panegociueshme. Ata që e kanë vonuar këtë çështje duhet të kërkojnë falje atyre që kanë pasur nevojë dhe u është mohuar.
A do përfitojë Shqipëria nga ekonomia? Nuk kemi shumë alternativa për të bërë ekonomi. Nuk ka Shqipëria rrugë pa fund, kur ka shanse duhen shfrytëzuar. Nuk kemi sot asnjë ndikim nga industria farmaceutike. Nëse Shqipëria do të ishte e shpejtë do të merrte pjesë nga ekonomia evropiane e kanabisit farmaceutik”, tha ai.
I pyetur se përse Edi Rama erdhi në mendimet e tij, Kokëdhima thotë se kjo nuk ka rëndësi dhe se e inkurajon qeverinë për këtë çështje.
“Kjo nuk është çështje për mua. E inkurajoj qeverinë. Unë dua të shikoj çfarë do të bëjnë, nuk dua të paragjykoj asgjë. Inkurajoj çdo hap përpara në këtë drejtim”, u shpreh ai.