Policia e Fierit ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta, duke arrestuar në flagrancë tre persona.
Në operacionin e koduar “Mesnata”, në prangat e autoritetetve ranë Shkëlzen Gjata, 24 vjeç, Mariglen (Renato) Mellaraj, 35 vjeç dhe Pranvera Isufaj, 27 vjeçe,
Arrestimi i tyre u bë i mundur nga informacionet e marra më parë në rrugë operative, ku në lokalin “New York” në lagjen “Apollonia” gjatë një feste që do të zhvillohej, aty do të shitej lëndë narkotike.
Mbi bazën e këtij informacioni, gjatë mesnatës, është shkuar në lokal dhe është ushtruar kontroll personave dhe ambienteve të këtij lokali që ishte në administrim nga Shkëlzen Gjata dhe Mariglen Mellaraj.
“Nga kontrolli i ushtruar në një dhomë me mbishkrimin ”Private” u gjendën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 36 copë paketime (porcione) me kokainë, një peshore elektronike, një palë gërshërë dhe një fletore shënimesh”, shkruhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kohës së kontrollit fizik të personave Pranvera Isufaj, në çantën e saj të krahut i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy thika.
Po kështu 27-vjeçarja ka kundërshtuar hapur veprimet e policisë duke përdorur dhe forcën me veprime aktive e për pasojë ka penguar në kryerjen e detyrës punonjësit e policisë si dhe i ka ofenduar ata./abcnews.al