Kokainë në kontejnerët e bananeve, Apeli i GJKKO lë në burg pronarin e “Alba Exotic Fruits”

schedule11:52 - 5 Maj, 2022

schedule 11:52 - 5 Maj, 2022

Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar masën e arrestit me burg ndaj administratorit të firmës “Alba Exotic Fruits”, Eduart Dautin.

Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e Dautit për masë më te butë sigurie duke vendosur që ai të qëndrojë pas qelisë të paktën deri në përfundim të hetimeve. Dauti u arrestua rreth një muaj më parë për akuzën e trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas prokurorisë, në kontejnerët me banane që vinin nga Amerika Latine në Portin e Durrësit të porositura nga kompania “Alba Exotic Fruit” u gjetën sasi kokaine në gjashtë raste të ndryshme. 51-vjeçari ka mohuar akuzat përballë gjykatës, duke kërkuar edhe masë më të butë sigurie, por togat e zeza rrezuan kërkesën e tij.

Kujtojmë se ngarkesa e fundit me kokainë e “Alba Exotic Fruit” ra në rrjetat e policisë me 12 tetor në portin e Durrësit. Në një nga kontejnerët që vinte për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, është kapur një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë kokainë.

Kjo ishte e gjashta herë që në kontejnerët e kësaj kompanie gjendet kokainë. Hera e pestë ishte më 7 shtator, kur u kapën rreth 7.7 kg kokainë e ndarë në 8 pako. Saga nuk ndalet me kaq pasi më datë 26 dhe 29 korrik u gjetën sasira 5 deri në 7 kg kokainë te pjesa e ventilimit, dhe po ashtu edhe më datë 12.10.21.

Kujtojmë se në vitin 2019 kësaj firme iu kap në Greqi në portin e Pireut një ngarkesë prej 137 kg kokainë që si destinacion final kishte portin e Durrësit. Në atë kohë kokaina u zëvendësua me oriz nga DEA amerikane.

‘Alba Exotic Fruit’ është një kompani, e cila vepron në treg prej vitit 2011 dhe rezulton të jetë në pronësi Eduart Dautit dhe Barjon Gumenit. Ky i fundit u arrestua më 13 korrik, kur policia zbuloi ngarkesën prej 11.6 kilogramësh kokainë, për të cilën Gumeni u shpreh se nuk ka lidhje. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!