Dy shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane pasi akuzohen për trafik të lëndëve narkotike. Mediat shkruajnë se në pranga kanë rënë dy shtetas shqiptarë, një 35-vjeçar dhe një 21-vjeçar, për veprën penale të trafikut të drogës .
Aksioni i policisë u shkaktua nga një denoncim i banorëve të cilët kishin vënë re një lëvizje të dyshimtë të makinave dhe njerëzve në dy shtëpi të ndryshme në Bastia Umbra, pas një hetimi është zbuluar aktiviteti i paligjshëm që zhvillohet nga shqiptarët në këtë zonë.
Gjatë kontrollit, nga karabinierët një nga shqiptarët ka tentuar të heqë qafe një mbështjellës celofani duke e hedhur nga dritarja. Megjithatë, ky mbështjellës u gjet më vonë dhe u zbulua se përmbante rreth pesëdhjetë gramë kokainë.
Kërkimi ka vazhduar brenda shtëpisë, ku u gjetën rreth dy mijë euro, një peshore elektronike precize dhe material për prerjen dhe përgatitjen e dozave të kokainës. Në oborr, i fshehur në një vrimë, u zbulua një kavanoz qelqi me një kilogram kokainë dhe një tjetër peshore elektronike precize e përdorur për paketimin e drogës.
Policia ka shtrirë operacionet e kontrollit edhe në një shtëpi tjetër ku frekuentonin dy personat. Gjatë këtij kontrolli u gjetën edhe pesëdhjetë gramë kokainë, tashmë e ndarë në 56 doza të gatshme për shitje./abcnews.al