TIRANË– Një megaoperacion mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, ka ka çmontuar një prej grupeve më të fuqishme kriminale me bazë në Durrës, që operonin në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave në Shqipëri.
Operacioni, i koduar me emrin “Ura” u zhvillua prej orëve të para të mëngjesit të së mërkurës dhe nga 52 masat e sigurisë që janë lëshuar, deri më tani janë ekzekutuar 42 prej tyre.
Sa i takon Shqipërisë, GJKKO ka lëshuar 29 masa arrest me burg, të cilat përveç anëtarëve të grupit kriminal kanë shkuar edhe për policë, avokat, pronar biznesesh dhe zyrtarë të tjerë. Masat për përfshirje në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Juristi Rezart Kthupi, theksoi se Durrësi është kthyer në një qytet problematik pasi kontrolli i territorit ka mbetur në pak duar. Kjo situatë theksoi ai krijon përplasje dhe tensione mes grupeve, që përpiqen të kenë influencën e tyre.
“Ky kontrolli ka ardhur dhe është zvogëluar në një grup të vetëm, dhe ky është problem që ke sot në Durrës dhe përndaj sot Durrësi është bërë shqetësim, dhe përndaj diskutohej ky operacioni kaq i gjatë në kohë, sepse kontrolli është zvogëluar. Nuk ka disa duar që kontrollojnë ose ku bashkëjetojnë në hapësirën e Portit të Durrësit”, tha ai.
Analisti Arben Meçe, u shpreh se Shqipëria nuk mund të bllokojë tregje ndërkombëtare të kokainës apo heroinës, pa mbështetjen e vendeve partnere si Italia apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi tranzit dhe rasti tregon se heroina është trazit, dhe kokainë nuk vjen fare këtu. Mos prisnin që Shqipëria, që pa bashkëpunuar me partnerët amerikanë, italianë të kapin drogën në kufirin tonë. Nuk kapet droga me policë, i cili kontrollon me qen zotëri”, tha ai.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço u shpreh se “koka” e grupit në Durrës, prej katër javësh është larguar nga Shqipëria.
“Personazhi kryesor nuk ka qenë. Ka katër javë që është larguar nga Shqipëria. Pra po t’i hysh analizës, sepse edhe në raportet e mbikëqyrjes, ai nuk del që ka qenë nën mbikëqyrje. Këta morën sinjal që vjet se e kanë SPAK-un në kurriz. Një person që është në radar nuk i bën karshillëk institucioneve”, tha ai/abcnews.al