Mesfushori i Milanit, Franck Kessie, është në bisedime me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës. Ky është lajmi më i fundit që vjen nga “Tuttomercatoweb”, që deklaron se kuqezinjtë kërkojnë ta “blindojnë” ish-lojtarin e Atalantës në “San Siro” deri në vitin 2024.
Kujtojmë se 23-vjeçari erdhi në Milano fillimisht në formë huazimi nga bergamaskët, deri sa u ble përfundimisht në korrik të vitit 2019. Aktualisht kontrata e tij përfundon në verën e vitit 2022, por klubi është i kënaqur me paraqitjet e tij dhe kërkon t’ia zgjasë kontratën dhe për dy vite të tjera.
Mësohet se lojtari nga Bregu i Fildishtë ka pranuar kërkesën e klubit për të nisur negociatat dhe deri më tani gjithçka po shkon mirë. Franck është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Milanit dhe ka shënuar dhe dy gola në këtë fillim sezoni, ku të besuarit e Stefano Piolit mbajnë vendin e parë në Serie A. /abcnews.al