Zyrtare: Kohë merkatoje te Kukësi, një fantazist nga Austria për Gegën

schedule13:39 - 4 Gusht, 2020

schedule 13:39 - 4 Gusht, 2020

Anxhelo Tafa ishte zyrtarizimi i parë te Kukësi, ndërkohë që sot verilindorët kanë njoftuar për afrimin e një tjetër futbollisti. Ai është mesfushori Albin Gashi, me të cilin nënkampionët e vendit e kishin gjetur akordin prej kohës. I riu ka zbarkuar në Shqipëri dhe ka firmosur për dy vite me Kukësin.

NJOFTIMI – “Albin Gashi është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Mesfushori 23-vjeçar ka firmosur sot me skuadrën tonë kontratën dy vjeçare. Gashi e ka nisur karrierën e tij në kampionatin austriak, ku edhe ka lindur. 23-vjeçari ka qenë pjesë e Rapidit të Vienës duke qenë edhe prodhim i akademisë austriake dhe së fundmi ishte pjesë e Floridsdorferit po në Austri.

Gashi ka kryer vizitat mjekësore dhe më pas ka firmosur kontratën, duke u bërë kështu futbollisti më i ri i skuadrës sonë. Në të kaluarën, Gashi ka qenë edhe pjesë e skuadrës së Austrisë për mosha, duke u paraqitur me Austrinë U16 (12 ndeshje, 4 gola), Austrinë U17 (10 ndeshje), Austrinë U18 (4 ndeshje, 3 gola) dhe Austrinë U19 (6 ndeshje, 1 gol).

Gashi do të bashkohet me ekipin ditën e enjte kur edhe do të zhvillohet stërvitja e parë për sezonin e ri futbollistik që nis në 27 gusht me ndeshjen e Ligës së Europës. Klubi i Kukësit i uron shumë suksese mesfushorit Gashi! Mirë se vjen Albin”, shkruhet në njoftimin e klubit të Kukësit. /abcnews.al