Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Josep Borell ka reaguar në lidhje vendimin e kryeministrit të Kosovës për tarifën ndaj produkteve serbe.
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifave për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Kosova do të heqë tarifat për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Ne e mirëpresim këtë njoftim si hap të parë dhe mezi presim të shohim më shumë detaje. Ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në reagim.
Në një reagim për mediat, Borell u shpreh deri më sot ishte një kohë e humbur.
“Është humbur shumë kohë. Besimi duhet të rikthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm që dialogu të rifillojë, në dobi të të dyjave. Përfaqësuesi i Lartë, Presidenti Josep Borrell është i gatshëm të luajë rolin e tij si lehtësues i dialogut në emër të BE-së”, thuhet më tej në reagim.
Nga ana tjetër i dërguar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell përmes një shkrimi në “Twitter”, nuk e ka mbështetur Kurtin, duke thënë se pozicioni i SHBA-së është i qartë, tarifa duhet të hiqet tërësisht.