Çështja e dekomunistizimit ka bërë që të vijojnë përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, pasditen e kësaj të hënë.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj duke iu drejtuar kreut të qeverisë Edi Rama tha se ka ardhur koha që nga salla e kuvendit të largohen ato që ai i cilësoi si mbeturina të komunizmit.
“Ka ardhur koha që bashkë me mbeturinat e komunizmit nga kjo sallë të largohesh edhe ti. Për këtë arsye është shumë e padenjë, veçse preke plagët e pambyllura të komunizmit. Sa herë të flasësh për këtë çështje, të paktën ule zërin dhe bëj noj punë të mirë, si shenjë pendese, edhe si shenjë kujtese dhe fisnikërie nëse e ke.”
Kurse, Rama duke i thënë se me deklaratat e bëra i kishte dalë në shteg, i kërkoi Alibeajt që të përmendte një emër të vetëm që është i shpallur “non grata” nga SHBA në Grupin Parlamentar të PS-së, duke drejtuar vëmendjen nga Berisha i grupit të PD-së.
“Ma trego në Grupin Parlamentar të PS-së, kush është non-grata, më thuaj kush është? Ma trego, sepse përsëri provove atë që thashë unë, njësoj siç bënte shoku Enver tek partia e non-gratës tuaj, më thuaj pra kë kam non-grata, kë ke non-grata. Do të ta kujtoj unë kë keni non grata?” /abcnews.al/