“Koha që BE të mbajë premtimet”, Roth konferencë me Ramën: Shqipëria i ka kryer detyrat

schedule18:38 - 27 Maj, 2021

schedule 18:38 - 27 Maj, 2021

Ministri gjerman për Europën, Michael Roth ka nisur sot një vizitë dy ditore në Tiranë në lidhje me ecurinë e procesit të hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Roth së fundmi ka dalë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama. Në fjalën e tij Rama ka thënë se Shqipëria i ka kryer detyrat e saj. Ai ka shtruar se tashmë është koha që Bashkimi Evropain të mbajë fjalën dhe të nis konferencën e parë ndërqeveritare për pranimin e Shqipërisë në BE.

Rama më tej ka shtuar se vetë në brendësi të BE ka probleme ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe ngërçin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Kam nderin të mirëprisja një mik të çmuar të shqiptarëve. Një avokat të zëshëm të rrugëtimit Evropian të rajonit tonë. Ministrin gjerman të shtetit Roth. Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat. Mbajtja e konferencës të parë ndërqeveritare është çështje e brendshme e Këshillit Evropian në një moment ku duket se ka një prirje pozitive. Por së brendshmi BE ndeshet me një surprizë të radhës nga bota ballkanike dhe përreth që lidhet me ngërçin e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Natyrisht nuk mundet dhe të përsëris të njëjtën gjë që them me bindje që ne duhet të hapim menjëherë procesin dhe BE të zbatojë vendimin. Duke miratuar kornizën negociuese  dhe duke thirrur konferencën e parë ndërqeveritare. A do të ndodh, këtë nuk e dimë se varet. Barrikadën që i ka vënë këtij procesi. Pa konsensus  nuk merr dot asnjë vendim.”

“Por ne sot kemi një mbështetje nga të gjitha vendet dhe posaçërisht nga Gjermania. Në mbyllje dua të bëj një falënderim publik për gjithë mbështetjen dhe jo vetëm për këtë temë. Por në tërësi.” Ka thënë Rama mes të tjerash.

Ditën e nesërme ai do të zhvillojë takime me kreun e PD Lulzim Basha dhe me ministren e Jashtme Olta Xhaçka.

Ndalesa tjetër e Roth ishte Maqedonia e Veriut ndërsa në ditët në vazhdim ai pritet të vazhdojë turin në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Një ditë më parë Roth deklaroi se tashmë është koha që BE të përmbushë premtimet dhe të fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. /abcnews.al/