Werder Bremen e ka të qartë objektivin: kontrata me Milot Rashicën duhet rinovuar. Prej muajsh po bisedohet, por ende nuk ka një marrëveshje. 23-vjeçarit kontrata aktuale i përfundon në qershor të vitit 2022 dhe ka mjaftueshëm kohë për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Plani është që Rashicës t’i zgjatet edhe me një vit kontratë, ndërkohë që edhe ajo do të përmirësohej në aspektin financiar. Te Werderi janë të detyruar të shesin në verë një ose dy lojtarë. Me një kontrata edhe më afatgjatë, edhe oferta për djaloshin nga Vushtrria do të jetë më lartë.
“Unë besoj se Miloti ishte i aftë të shkonte në këto nivele. Bremen është ambienti perfekt për të. E ardhmja? Ka kontratë edhe për tre vite këtu”, është shprehur Altin Lala, menaxheri i Rashicës. Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare është në bisedime me Frank Baumann, drejtorin sportiv të klubit gjerman.
Synimi është vendosja e një klauzole, në mënyrë që Rashica të mund të largohet nëse merr ofertë nga ndonjë klub i madh. “Ka ardhur koha që ai të hedhë një hap të madh. Jemi të qetë. Nëse Miloti vazhdon në rrugën e nisur, shumë shpejt sot ë shpërblehet për punën e bërë”. Lala nuk do të nxitohet. Pak kohë më parë Werderi ka refuzuar një ofertë pre 18 milionë eurosh nga Benfica. /abcnews.al

