Nga Frrok Çupi
A janë të çartun këta që në këto kohë moderne po tentojnë të ngrehin fisin kundër të gjithëve?
Këto kohë, më së shumti po flasim në dialektin geg, edhe kur është edhe kur nuk është nevoja. ‘Çartun’, për shembull, është fjalë që nuk kuptohet në krahinat e Toskërisë, madje as në Shqipërinë e mesme gege.
Ka kuptimin e ‘jashtë kohe’, ose edhe ‘të pa arsyeshmes’. Trimi i çartun është njeriu pa produkt, si fishekzjarrë. A është i çartun vetë fisi, domethënë a është i kapitulluar?
Nuk kam kaluar këto ditë pranë atij pisllëkut që kanë bërë disa trima fisnorë në bulevardin më të madh të Evropës Lindore, ‘Dëshmorët e Kombit’. Por më bën përshtypje lidhja: Njëri është i dikujt, tjetri i dikujt tjetër…, me fise gjenetike ose politike. Dëgjova njërën prej tyre. Mbiemrin e kishte ‘Haklaj’, s’e mbaj mend emrin. Thërriste n’kupë të qiellit se ‘pa rrëzuar Edi Ramën nuk ka liri!’. Mirë kjo, por nga vjen? Çfarë po kërkon si pjesë?
Mbiemri, domethënë fisi, më krijoji asosacione të ngatërruara. Haklaj shfaqet herë kështu e herë ashtu. Haklaj është në Tropojë, një fis i fortë në Kërrnajë. Në një reportazh të prurë nga një dëshmitar nga kulla e famshme Haklaj, shkruhet:
“Dritat janë shuar përgjithmonë dhe kjo e bën akoma më të trishtë atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve të demokracisë me burrat e derës historike!”.
Nga ky fis, që nga maji i vitit 1997, janë vrarë 14 burra, pesë prej të cilëve vëllezër, djem të Muharremit. I kanë djegur kullën dhe u kanë dhunuar varret e të vdekurve. Babai i madh ka marrë rrugën e jeton në Nord të Evropës. Edhe i biri, më i madhi, që mbeti gjallë. E bija, që mbiquhet edhe Shotë, po të njëjtën rrugë ka bërë.
Për tragjedinë e fisit të Haklaj, fillim e fund, është drejtuar gishti nga Sali Berisha. Vetë Saliu e kreu tragjedinë e treguar po për shkak të fisit. Kur mori pushtetin politik, tentoi të marrë edhe pushtetin Fisnor. Por fisi i tij në Tropojë nuk ngrinte peshë. Atëherë i hyri fisit Haklaj dhe e rrënoi.
“Kulla e fisit Haklaj nuk ka dritë”, shkruan reportazhi. Megjithatë dikush, Haklaj, thotë se ka dalë prej asaj kulle e po dëshmohet ‘e çartun’ në bulevardin e Tiranës.
Kulla është ndarë në disa fise. Disa prej tyre janë me Berishën, edhe pse i rrënoi. Një tjetër herë deputet me Berishën, e herë kundër. Një tjetër vjen në bulevard në krah të Lapaj. Vetë Lapaj ka fiisn e vet diku në Jug; gjithë fisin e kishte bërë kandidat për deputet. Një fis të dytë ka vjehrrin, i cili lidhet fillimisht me fisin ‘e Plepave’ ku u rrënua Drejtësia dhe fitoi korrupsioni gjakatar. Herën e fundit mund të hajë prapë fisin Haklaj.
Po t’i shikosh të gjithë në ata dhjetë vetë që zënë bulevardin, të gjithë janë dy a tre fise. Edhe në Partinë e Berishës nga merr lëng pisllëku në bulevard, është me fise. Fisi i Kukësit, fisi i Kosovës, fisi i Hasit, fisi i Brrakës, fisi i Lirisë.
Ideja dhe frymëzimi në politikën e tyre vjen nga fisi; asgjë nga jeta sot, as nga parimet e demokracisë. Shqipëria po ankorohet në Bashkimin Evropian, këta janë me fisin. Brenda fisit, dikush me socialistët, dikush me saliistët, dikush me Llapën. Ku të dalë diçka.
Vetë bulevardi i madh, më i madhi në Europën Lindore, është një urrejtje e tyre. Prandaj edhe e pushtojnë sepse e duan për fisin e tyre. Fiset kur zënë një plaçkë të lavdërueshme, e hanë për vete.
Fisi në Shqipëri dhe në Ballkan është vetë thelbi dhe zemra e Mafies. Xhavier Raufer, një studiues i njohur i Mafies në Ballkan, shkruan se në Shqipëri mafia është një shoqëri sekrete brenda fisit ose familjes. Anëtarët bashkohen me një gangster nga kooptimi familjar. Familja vdes, por ‘familja” vazhdon gjatë.
Ja kështu po e shoh. Një gjë nuk di: Vallë ç’anë do të mbajë Shota e Haklajt që është betuar, në një sens tjetër, për fisin?


