Pas humbjes turpëruese ndaj Kroacisë në gjysmë-finalet e Nations League, “tulipanët” e Holandës u mundën sërish ditën e sotme, kësaj here ndaj “të kaltërit” e Italisë, në përballjen e vlefshme për vendin e 3-të të këtij kompeticioni.
Në përfundim të ndeshjes, tepër i zhgënjyer tekniku i Kombëtares holandeze, Ronald Koeman nuk e kurseu autokritikën, duke marrë përsipër “fajin” për humbjen turpëruese, të pësuar ditën e sotme.
”E marr vetë fajin përsipër për humbjen ndaj Italisë. Me të vërtetë mendoja që do të hidhnim një hap pozitiv, por u ndëshkuam nga gabimet tona. I shqetësuar për paraqitjen e skuadrës? Sigurisht që jam i shqetësuar. Në pjesën e parë nuk bëmë asgjë. Ndërsa në pjesën e dytë e rritëm nivelin e lojës.
Van Dijk ndihet i turpëruar? Edhe unë ashtu ndihem. Nuk ishte një paraqitje e nivelit të Holandës. Duhet të marrim mësimet e duhura dhe të rikthehemi më të fortë në Shtator”,- u shpreh “dirigjenti” i “tulipanëve”. /i.m /abcnews.al