Barcelona luan nesër fatet e sezonit në La Liga, ku sfidon Atletico Madrid, rivale direkte për titullin kampion. Para kësaj ndeshje në konferencë për mediet ka folur trajneri i ekipit blaugrana, Ronald Koeman, që nuk heziton të përmendë emra specifikë.
“Ne jemi dy skuadra shumë të mira, luftojmë edhe me dy skuadra të tjera për titullin. Stili i secilës është i ndryshëm. Ne duhet të jemi të fortë mentalisht dhe të luajmë mirë me topin në këmbë ndaj tyre. Atletico mbrohet shumë mirë dhe loja jonë në pjesën e fundit të fundit të fushës duhet të jetë shumë e mirë për të krijuar mundësi dhe për të qenë efektive.
Nuk mendoj se rezultati i ndeshjes së nesërme është vendimtar. Gjithsesi është e rëndësishme sepse jemi drejt fundit. Dreka në shtëpinë e Messit? Nuk është koha për të folur për këtë, kemi ndeshje nesër. Dënimi im? Është e rëndësishme të jem në bankinë nesër.
Ne varemi nga apelimi, por nuk e di pse po vonon kaq shumë. Ai vendim mendoj se është diçka personale. ‘Çfarë tipi qenke’, nuk është shprehje fyese. Nuk është arsye për të më dënuar me dy ndeshje, kështu që mendoj se është diçka tjetër në këtë mes.
Do jetë e çuditshme për Suarez dhe lojtarët tanë të jenë përballë njëri-tjetrit. Nuk e kam ndryshuar mendimin, nëse i fitojmë të katërta ndeshjet, ne shpallemi kampionë. Ansu Fati? Nuk kam folur me të pas operacionit. Dembele e konsideroj si të gjithë lojtarët e tjerë që janë në listë.
Mund të jenë nesër në fushë për të shfrytëzuar cilësitë e tij. Eliminimi i Real Madrid? Nuk mendoj se kjo do ndikojë në ndeshjet e mbetura të La Liga. Messi interesohet shumë për taktikat e skuadrës.
Ai luan shumë mirë vetëm, por gjithashtu interesohet edhe për lojën e djemve të tjerë, sesi skuadra duhet të luajë. Dua më të mirët dhe mendoj se gjëja e duhur është që Messi të qëndrojë te Barcelona”, përfundoi Ronald Koeman. /abcnews.al