Kodheli thirrje qeverisë: Investo në rrugën e vjetër të Kukësit

schedule17:47 - 5 Prill, 2018

schedule 17:47 - 5 Prill, 2018

Deputetja socialiste e Kukësit Mimi Kodheli i ka bërë thirrje qeverisë që jo vetëm të rishikojë tarifat e Rrugës së Kombit në favor të banorëve kuksianë, por edhe të investojë në rrugën e vjetër të Kukësit.

Të vetmuar e nisën seancën parlamentare të së enjtes deputetët e mazhorancës.

Edhe pse jashtë rendit të ditës Mimi Kodheli i ka nja dy fjalë me qeverinë për banorët që e kanë zgjedhur deputete.

“I kërkoj qeverisë përpara se të rishikojë tarifën e mirëmbajtjes në favor të banorëve  të qarkut të Kukësit, të përkujdeset dhe të investojë rrugën e vjetër të Kukësit si një alternativë për banorët atje, të shikojë dhe të rikategorizojë të gjitha rrugët në vend dhe në këtë mënyrë ta thjeshtojë dhe diferencojë  sistemin e taksimit.

Të bëjë transparente, ku dhe si shpërndahen të ardhurat që vijnë nga taksa e qarkullimit, të vlerësojë pozitivisht të gjitha propozimet që ka bërë dje Komisioni i Ekonomisë”.

Pas Erjon Braçes, Mimi Kodheli është një tjetër zë nga socialistët që kërkon të bëhet më shumë transparencë e më pak demagogji.

“Fort të nderuar kuksianë, hasianë, tropojanë kam folur duke iu parë në sy e po në sy ju shikoj edhe sot, e flas me ju me zemrën e një nëne dhe fuqinë e mendjes së një ligjvënësie.

Unë jam për shtetin e së drejtës, jam për ligjin, për ekonominë e tregut, por jam edhe për një rishpërndarje më të drejtë e më të moralshme që favorizon të dobit dhe të varfërit dhe jam më shumë transparencë e më pak demagogji.”

Deputetja socialiste e Kukësit paralajmëroi edhe Lulzim Bashën se dita e tij për t’u përballur me drejtësinë do të vijë, por sot më e rëndësishme për të është realizimi i ëndrrës kuksiane. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!