Partia më e dëmtuar pas vendimit të PZAP në Kosovë duket se do të jetë LVV-ja e Albin Kurtit e cila do të ketë 3 deputetë më pak ndërsa LDK-ja një më pak. Koalicioni i ardhshëm ka kështu vetëm 57 deputetë, nga 62 sa kishte sipas rezultatit përfundimtar të nxjerrë nga KQZ. Kjo do ta detyrojë që të bëjë koalicion me një parti të tretë për të siguruar shumicën në Kuvend.
PZAP, paneli për Ankesa dhe Parashtresa pranoi të hënën si të bazuar ankesën e koalicionit Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë për anulimin e kutive të ardhura nga Serbia dhe vendosi edhe rinumërimin e 1 mijë e 472 vendvotimeve. Kjo do të thotë se dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Vetëvendosje dhe LDK, nuk mund ta formojnë qeverinë të vetme pa partnere qeverisës pasi nuk e kanë më numrin e mjaftueshëm të gjysmës së votave në parlament. Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 28, ndërsa për t’i siguruar numrat duhet ti kenë 61. Tashmë, Nisma pritet të ketë gjashtë vende në Kuvend dhe këto do të ishin vota të arta për koalicionin qeverisës. “Indeksonline” raportoi se në vetëvendosje thonë se është herët të jepet një përgjigje se a do të kenë partneritet me Nismën pa pasur vendim për vendimin e PZAP. Ndërsa në LDK thonë se kjo është përgjegjësi e Vetëvendosjes dhe jo e tyrja. Ndërkohë Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se kjo është bërë për ta futur në kurth Albin Kurtin, i cili nuk ka përvojë. Mediat në Serbi cituan Vuçiç të ketë thënë se edhe po të anullohen 4,000 deri në 5000 vota nga Serbia, kjo gjë nuk do të ndikonte në Listën Serbe, e cila fitoi dhjetë vende.
Vuçiç tha se nuk ishte Lista Serbe shënjestra, por u bë për të dëmtuar imazhin e Serbisë dhe për të ndryshuar përbërjen në Parlament, sepse nëse hyn Nisma, sipas tij, numri i deputetëve të Kurtit do të zvogëlohet dhe atëherë LDK-ja në bllok mund të ketë më shumë sesa Kurti, duke imponuar në këtë mënyrë kandidatin e tyre për kryeministër Vjosa Osmani.
Vendimi i PZAP-it ka nxitur reagime edhe nga deputetët minoritarë si Partia Liberale Egjiptiane. Kryetari i këtij subjekti, Veton Berisha tha për “Indeksonline” se do të kenë dy deputetë dhe se kërkesa finale do të jetë që ky komunitet të kenë një ministri, në të kundërtën do t’i thonë “JO” Kurtit.
Gjithsesi, partia më e dëmtuar pas këtij vendimi duket se do të jetë LVV-ja e Albin Kurtit e cila do të ketë 3 deputetë më pak ndërsa LDK-ja një më pak. Koalicioni i ardhshëm ka kështu vetëm 57 deputetë, nga 62 sa kishte sipas rezultatit përfundimtar të nxjerrë nga KQZ./abcnews.al