KMDLNj: Marrëveshja për trafikim të të burgosurve me Danimarkën është raciste

schedule12:01 - 18 Shtator, 2023

schedule 12:01 - 18 Shtator, 2023

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar sërish lidhur me marrëveshjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve të Danimarkës, duke thënë se të burgosurve që do të vendosen dhunshëm në Kosovë nga Danimarka do t’iu shkelen të drejtat e njeriut duke filluar nga trajtimi në baza raciste që ua bëjnë autoritetet daneze.

KMDLNj në reagim thekson se në Kosovë do të përballen me probleme të vizitave sidomos për fëmijët e tyre dhe anëtarët e moshuar të familjes.

“Do të kenë probleme të trajtimit të rasteve të rënda shëndetësore të cilat nuk do të trajtohen brenda Burgut të Gjilanit. Do të kenë problem të komunikimit me stafin sikur edhe të përshtatjes në një mjedis tjetër social. Do të jetë problem i shfrytëzimit të beneficioneve  dhe probleme tjera”, thuhet në reagim.

Reagim i KMDLNj – së:

Rikujtim i KMDLNj-së për deputetët e Kuvendit të Kosovës

MARRËVESHJA PËR TRAFIKIM TË TË BURGOSURVE ME DANIMARKËN ËSHTË DISKRIMINUESE DHE RACISTE!

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, i shoqëruar me Komisionin për Legjislacion të atij vendi ishte për vizitë në  Qendrën e Paraburgimit në Pasjak të Gjilanit për të vizituar vendin ku, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar më parë, do të vendosen mbi 300 të burgosur dhe të dënuar nga  Danimarka, asnjë nga ta nuk është shtetas i Danimarkës por nga shtetet e treta e që janë dënuar në Danimarkë por se ky shtet, nga pozitat e trajtimit puro racist i dërgon në një shtet tjetër duke mos bërë përpjekje fare t’i risocializojë ata. Arsyetimi i Danimarkës është mashtrues sepse, sipas tyre nuk paska kapacitete të mjaftueshme për t’i vendosur dhe ekzekutuar dënimet për shtetasit e shteteve të treta kurse, po në të njëjtën kohë paska kapacitete të mjaftueshme të mbajnë në institucionet korrektuese të gjithë shtetasit e Danimarkës. Prej kohës kur është nënshkruar marrëveshja midis Danimarkës dhe Kosovës, autoritetet daneze kanë pasur kohë të mjaftueshme sikur edhe mundësi të mëdha materiale ta ndërtojnë një burg në Danimarkë apo të përshtatin një objekt ku do t’i vendosnin të dënuarit, asnjëri nga ta shtetas i Danimarkës. Por qëllimi është se qartazi nuk duan të merren me ta prandaj ua shesin Kosovës për një afat 10 vjeçar, me një kompensim 210 milionë euro që kur të përpjesëtohet dhe hiqen investimet del të jetë një shumë e papërfillshme.

Arsyetimi tjetër ishte dhe është politik; se Danimarka e paska njohur Kosovën që në fillim, se Hans Hakerup paska qenë kryeadministrator i Kosovës dhe broçkulla tjera kurse, dje, ministri danez i drejtësisë tha se Danimarka do ta ndihmojë Kosovën në proceset integruese në BE–e dhe anëtarësim në Këshill të Evropës gjëra që nuk kanë fare të bëjnë me të burgosurit nga Danimarka që do të transferohen në Kosovë. Madje, po të ishte Kosova anëtare e Këshillit të Evropës kjo marrëveshje as që do të jetësohej shkaku se shkelë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria në baza etnike dhe racore. Nuk është e vërtetë se trajtimi i të burgosurve ka qenë përcaktues që Danimarka ka vendosur për Kosovën e jo për ndonjë shtet tjetër.  E vërteta është se asnjë shtet nuk ka pranuar as të bisedojë për këtë çështje sepse kjo marrëveshje, ashtu siç është e përligj trafikimin me qenie njerëzore sikur edhe krijimin e një sistemi paralel korrektues brenda një shteti. Në rastin konkret në Kosovë do të kemi dy sisteme korrektuese, ai që është aktualisht në fuqi sipas Ligjit për Ekzekutim të Sanksioneve Penale të Kosovës dhe sistemi paralel korrektues për Burgun e Gjilanit që punon sipas Ligjit për Ekzekutim të Sanksioneve Penale të Danimarkës.  Të burgosurit e importuar nga Danimarka do të trajtohen sipas ligjeve të Danimarkës ku standardet janë shumë më të larta se në Kosovë, në të gjitha aspektet; shëndetësorë, ushqimit, trajtimit, kushteve fizike, beneficioneve, vizitave, aktiviteteve sportive dhe kulturore etj. Nga Ministria e Drejtësisë doli një “zotim“ se të burgosurit nga Danimarka do të trajtohen mirë në Kosovë në kohën që këta nuk do të pyeten për asgjë sepse ligjet e Kosovës vdesin brenda Burgut të Gjilanit ku do të jenë në fuqi ligjet e Danimarkës. Është ndoshta paradoksale por të burgosurit që i janë shitur Kosovës nga Danimarka do të kenë trajtim shumë më të mirë dhe kushte më të mira se që do t’i kenë oficerët e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Mos të flasim për krahasim me të privuarit nga liria kosovarë dhe të huaj që e vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës.

Me këtë marrëveshje humbësit më të mëdhenj do të jenë personat e privuar nga liria në Kosovë që, as përsëafërmi nuk do të trajtohen sikur të burgosurit e importuar nga Danimarka, në asnjë aspekt.  Në aspektin afatgjatë, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë humbës i padiskutueshëm sepse për shkak të dallimeve jonormale të trajtimt brenda një sistemi unik juridik të një vendi, këta do të përballen me revolten e të dënuarve vendas. Pastaj, të burgosurit nga Burgu i Gjilanit duhet të vendosen në qendra të tjera që e ruajtjen e një mjedisi social përmes vizitave dhe takimeve me familjarë. Brenda SHKK –së, nuk po ka guxim të kundërshtohet kjo marrëveshje shkaku se mund t’i humbin vendet e punës sikur që në skenë tani është një garniturë karrieristësh që nuk marrin fare vesh me punën e Shërbimit Korrektues prandaj po favorizojnë bashkëpunëtorë me një të kaluar aspak të mirë e që shumë e kanë dëmtuar Shërbimin Korrektues të Kosovës, i cili, përkundër ndërhyrjeve të vazhdueshme politike, ka qenë shërbim shumë i mirë dhe i suksesshëm, krahasuar me vendet e rajonit. Tash, ndërhyrjet politike në punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës janë kapitale.

Të burgosurve që do të vendosen dhunshëm në Kosovë nga Danimarka do t’iu shkelen të drejtat e njeriut duke filluar nga trajtimi në baza raciste që ua bëjnë autoritetet daneze. Në Kosovë do të përballen me probleme të vizitave sidomos për fëmijët e tyre dhe anëtarët e moshuar të familjes. Do të kenë probleme të trajtimit të rasteve të rënda shëndetësore të cilat nuk do të trajtohen brenda Burgut të Gjilanit. Do të kenë problem të komunikimit me stafin sikur edhe të përshtatjes në një mjedis tjetër social. Do të jetë problem i shfrytëzimit të beneficioneve  dhe probleme tjera.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës po mundohet të bind deputetët e Kuvendit të Kosovës se kjo është marrëveshje ndërkombëtare, se është e dobishme për Kosovën prandaj duhet ta votojnë pa asnjë kundërshtim.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë të qartë se kjo marrëveshje legalizon një sistem tjetër, të një shteti tjetër të Ligjit për Ekzekutim të Sanksioneve Penale të të cilin nuk do ta pranonte asnjë shtet normal. Duket se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë të qartë se çka po votojnë dhe se çfarë dëmi po i shkaktojnë Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe se me votimin e kësaj Marrëveshjeje ata, në fakt po e legalizojnë një trajtim racist të personave të privuar nga liria duke i trajtuar të burgosurit e Kosovës si të burgosur të rendit të dytë krahasuar me ata të Danimarkës. Në këtë mënyrë do të bëhen pjesë aktive e shkeljes së të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. Në fund të fundit, gjatë zgjedhjeve deputetët nuk e kërkojnë votën e të burgosurve nga Danimarka por votën e të burgosurve nga Kosova prandaj edhe përfaqësojnë dhe duhet t’i mbrojnë interesat e votuesve të tyre, të burgosurve nga Kosova.

Nuk ka shtet në botë që ka funksionuar një marrëveshje e tillë. Madje, edhe një marrëveshje e dy shteteve nordike që kanë vlera të njëjta demokratike në trajtimin e personave të privuar nga liria ka zgjatur vetëm një vit e gjysmë.

KMDLNj–ë e kundërshton fuqishëm këtë marrëveshje dhe, në një kohë të përshtatshme do t’i drejtohet të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sikur edhe autoriteve daneze.

Vota për këtë Marrëveshje është votë për racizmin dhe për diskriminimin e personave të privuar nga liria. Prandaj, analizojeni mirë këtë marrëveshje, sidomos pasojat që do të jenë të pashmangshme për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe për të privuarit dhe të dënuarit kosovarë.

Nëse votohet kjo marrëveshje, atëherë do të jetë legalizim i Zajednicës daneze në sistemin Korrektues të Kosovës  ku do të kemi dy sovranitete korrektuese brenda një shteti të vetëm.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!