Klubet shqiptare do të vazhdojnë të ketë probleme me rrogat dhe me formalizimin përsa kohë që nuk do të ndryshojë ligji për sponsorizimet. Kështu mendon ish-administratori i Tiranës, Salih Tagani.
Nuk është aspak çudi që shpesh nuk paguhen siç duhet.
Futbollistët shqiptarë do të vazhdojnë të kenë probleme, për sa kohë që nuk do të ndryshojë një nga ligjet më të rëndësishme që lidhet me sportin, ai i sponsorizimeve.
Kështu pohon njëri nga specialistët e fushës, ish-administratori i Tiranës, ekonomisti Salih Tagani.
“Kjo është një situatë që mund të rregullohet vetëm në një formë, me ligjin për sponsorizimin e sportit. Sporti sot mund të jetë edhe biznes, por nuk është biznes. Për të rregulluar një marrëdhënie midis biznesit dhe pjesës që publiku e pëlqen aq shumë duhet me patjetër të ketë një ligj që e rregullon marrëdhënien financiare. NËs enjë klub ka financa të shëndosha, problemet e tjera i ka minimale”, shprehet Tagani.
Ligji është i 1994-s, ndërsa në 2007-n u bënë ndryshime, ku u ulën përfitimet e biznesit nga 4 në 3 për qind të tatimit mbi fitimit.
“Tek ne ligji për sponsorizimet është pothuajse inekzistent dhe duhet një ligj që të nxisë dhe kompanitë që të investojnë”, thotë Tagani.
Tagani thotë se qeveria shqiptare nuk duhet të shqetësohet se humbet të ardhurat nëse ia jep sportit.
“Qeverisë për momentin do t’i shkurtohen disa të ardhura në buxhet nga studimet është që një ekip që mban logon e një kompanie që sponsorizon, kësaj kompanie i rritet shikueshmëria në masën 73 përqind. Këto e nxisin kompaninë që të rrisë biznesin, shtohen vendet e punës, shtohet xhiro, shtohen dhe tatimet”, tregon Tagani.
Ish-administratori bardheblu përmend edhe kërkesën për formalizim të klubeve bërë javën e kaluar në Kuvend.
“Formalizimi i klubeve nuk është gjë tjetër veçse zbardhja e të gjitha kontratave që mos të punojnë me kontrata të dyfishtë. Nga ana tjetër janë kontratat fiktive. Vetëm ligji me sponsorizimet e rregullon këtë marrëdhënie. Ne kemi sot futbollista që mund të kenë luajtur 10 vite rrjesht dhe nuk kanë asnjë ditë sigurimesh të paguara”, shprehet Tagani.
Shembullin e mirë nuk e kemi larg, mjafton të bëjmë si Kosova, që i njeh biznesit deri në 30 për qind të tatimit mbi fitimin./abcnews.al