Pas vettingut, e shkarkon edhe KLP/ Alfred Balla s’u dorëzua, por kolegët e shkarkojnë me shumicë dërrmuese

schedule17:24 - 27 Maj, 2024

schedule 17:24 - 27 Maj, 2024

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndërprerë mandatin e Alfred Ballës, duke e larguar atë nga drejtimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë më 9 vota pro dhe një abstenim.

Ky qëndrim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë erdhi pas vendimit të dhënë nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, që e përjashtoi Alfred Ballën për për 15 vitet e ardhshme nga sistemi i drejtësisë.

Mbledhja urgjente u drejtua nga zëvendës kryetari Tartar Bazaj që vjen nga radhët e avokatisë, ndërsa Balla nuk ishte i pranishëm.

Mbledhja e të hënës u zhvillua me debate mes anëtarëve për vendimin e KPA që e përjashtoi Alfred Ballën. Anëtarja Nurihan Seiti kërkoi që Kolegji i Posaçëm i Apelit të paraqesë me shkrim vendimin e formës së prerë dhe në të njëjtën kohë kërkoi që mbledhja mos drejtohej nga Bazaj pasi edhe atij i ka përfunduar mandati.

Nga ana tjetër, Sokol Stojani që vjen nga radhët e prokurorëve i tha këshillit se vendimi i KPA është përfundimtar dhe Balla nuk duhej të ishte më pjesë e Këshillit të lartë të prokurorisë.

Komisioni i Posaçëm i Apelimit vendosi më 21 maj që Alfred Balla të mos ushtrojë asnjë funksion për 15 vitet e ardhshme në radhët e prokurorëve ashtu dhe në radhët e gjyqtarëve, apo në institucionet e reja të drejtësisë. Trupa gjykuese pranoi ankimin e Komsionerit Publik duke thënë se Alfred Balla ishte subjekt rivlerësimi, por ai hoqi dorë nga detyra me vullnet të lirë, duke mos iu nënshtruar kështu procesit të vettingut, por e ndaloi që të zgjidhet apo emërohet në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme. Alfred Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt të vitit 2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile dhe prej asaj kohe mbante postin e zv/kryetarit. Ndërsa në mars të vitit 2022 u zgjodh kryetar i këtij Këshilli, me një mandat 2 vjeçar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!