Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të hapë garën për drejtues të prokurorive te rretheve në shkallën e parë dhe apele për një mandat të plotë 3 vjeçar.
Këtë e bëri duke ndryshuar rregulloren e cila tani i jep të drejtë të kandidojnë edhe prokurorëve të cilët nuk e kanë kaluar procesin e “Vettingun”.
Sipas rregullores së re do të jetë vetë KLP ajo që do të bëjë “Vettingun” për këta prokurorë. Ky vendim hapi debate të forta në këshill pasi 3 nga anëtarët prokurorë të tij ishin kundër pasi rrezikojnë të dublohen institucionet e Vettingut.
Përveç kësaj ligji është i qartë se statusi i magjistratit mund gëzohet vetëm kur ke kaluar edhe procesin e “Vettingut” me sukses. Por vonesat e institucioneve të “Vettingut” për të përfunduar procesin brenda afateve është shkaku pse Këshilli nisi procesin e emërimit të drejtuesve të prokurorive të rretheve.
Në një intervistë për ABC drejtuesi i KLP-së Gent Ibrahimi sqaron se ky është një proces i cili zgjat 6 muaj dhe nuk synon shmangien organeve te Vettingut.
“Ne e kuptojmë mundësinë e një përplasje të një rezultati të ndryshëm nga ai i institucioneve Kushtetuese të Vettingut, në këto kushte jemi të interesuar për të eliminuar çdo lloj diskordance midis rezultateve të punës sonë dhe rezultateve të “Vettingut”. Mënyra se si shpresojmë ta bëjmë këtë është duke iu bërë prezente organeve të Vettingut që ne kemi nisur një proces i cili pritet të zgjasë 5-6 muaj sepse edhe ne bëjmë “Vettingun” tonë”, thotë ai.
Ibrahimi shprehet se për hapjen e garës e detyron ligji.
“Nuk është se ka thënë këshilli I lartë I prokurorisë që nuk do të presim “Vetting” përpara se të ecim përpara me vendimmarrjen tonë për emërimin e drejtuesve të prokurorive. Këtë e thotë ligji, ligji thotë që nuk është domosdoshme që dikush të ketë kaluar Vettingun në mënyrë që të kandidojë për postin e drejtuesit të prokurorisë. Në këto kushte ne nuk mund të bëjmë veçse këtë, pra të hapim garën për drejtuesit e prokurorive pa qenë e nevojshme që kandidatët të kenë kaluar procesin e Vettingut.
Sidoqoftë ne e kuptojmë mundësinë e përplasjes së një rezultati të ndryshëm nga ia institucioneve të vettingut dhe në këto kushte në jemi shumë të interesuar, të parat në radhën e atyre që janë të interesuar për të eliminuar çdo lloj diskordance midis rezultateve te punës tonë dhe rezultateve të punës së Vettingut”, tha më tej ai.
Megjithatë edhe nëse “Vettingu” i KLP e kalon prokurorin dhe ai komisionit te pavarur e shkarkon , vendimi i vlefshëm është i KPK-së. Pas kësaj këshilli detyrohet që të rihapë serish garën për drejtues prokurori. KLP shpreson se pas nisjes se këtij procesi , institucionet e “Vettingut” do të kalojnë në liste prioritare prokuroret që kanë kandiduar për drejtues.
/abcnews.al/