Parlamenti miraton ligjin, kush blen jahte dhe motore uji nuk do të paguajë TVSH

schedule12:22 - 14 Maj, 2020

schedule 12:22 - 14 Maj, 2020

Kush blen jahte apo mjete të tjera ujore nuk do të paguajë tatimin me vlerën e shtuar, TVSH të cilën shqiptarët e paguajnë thuajse për çdo produkt. Qeveria thotë se synon të forcojë turizmin, ndërsa opozita e quan një ligj luksi, dhe i kujton shumicës premtimet elektorale me heqje TVSH-je që nuk janë mbajtur.

Nga kjo taksë përjashtohen jo vetëm jahtet, por edhe mjetet e tjera lundruese me qëllim argëtues, mjafton që ato të jenë prodhim i 20 viteve të fundit.

Qeveria e justifikon ligjin si një përpjekje për të fuqizuar turizmin.

Ministri i Turizmit Blendi Klosi deklaroi:

“Nuk ka asnjë humbje në buxhetin e shteti pasi kjo industri nuk ekziston tek ne. Me këtë ne synojmë të bëhemi një vend atraksioni për industri të re që duhet të ndërtohet në Shqipër. Që ekziston në të gjitha vendet e Mesdheut.”

Opozita ju kujton socialistëve premtimet e pa mbajtura elektorale në lidhje me TVSH-në.

Deputeti Myslim Murrizi u shpreh:

“Është një ligj luksi. Do të isha shumë dakord që ta votoja me të dyja duart nëse do na kishin sjellë në këtë parlament, ligj për të heq 370 lekë litrin e akscizës së naftës së bujqësisë. Do të votoja sikur t’u hiqnit TVSH-në ushqimeve bazë. Po citoj 1000 premtimet tuaja në mitingjet e 1 milion shuplakave…”

Edhe Partia Demokratike e ka cilësuar këtë ligj si klientelist dhe pa përfitime të drejtpërdrejta në ekonomi. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!