Shqipëria për herë të parë, sipas ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, pret më shumë turistë sesa ka shtretër. Ministri Klosi ishte në Lushnje, qytet që sipas tij mund të shndërrohet në nyje lidhëse turistike me zhvillimin e pikave të agroturizmit.
Lushnja mund të shndërrohet në një pikë të ndërmjetme turistike përsa i përket agroturizmit, agropërpunimit dhe ofertave altenative turistike përveç bregdetit.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ndau këtë mendim me qytetarët gjatë turit të llogaridhënies.
“Këtu në Lushnje duke qenë se është një pikë nyje e turizmit mund të afrojë kapacitete shumë të forta përsa i përket agropërpunimit, agroturizmit, arsyeve që turistët kanë që përvec bregdetit të gjejnë një alternativë tjetër për të vizituar 100 fshatrat, zonat turistike, bukuritë e natyrës, kulinarinë e famshme të kësaj zone dhe ndaj së bashku me kryetarët e bashkive jemi përpjekur që gjatë gjithë verës të kemi oferta alternative përveç bregdetit”.
Për herë të parë këtë sezon turistik, Shqipëria sipas Ministrit te Turizmit dhe Mjedisit do të ketë më shumë turistë sesa shtretër, ndaj ai vuri theksin tek shtimi i ofertes turistike dhe rritja e sherbimit.
“Mbi 5 milionë turistë kanë qenë vjet dhe presim të vijmë mbi 6 milionë turistë. Na duhet shumë punë që kudo në Shqipëri të shtojmë ofertën turistike. Në qoftë se ne nuk ndërrojmë mentalitet dhe kuptojmë që duhet t’i shërbejmë turizmit si industri ne nuk e kemi të mundur të ecim përpara”.
Ministri Klosi theksoi se qëllimi Ministrise se Turizmit dhe Mjedisit eshte shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion europian turistik dhe gjetja e një ekuilibri midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së qëndrueshme të Mjedisit. /abcnews.al