Festivali ndërkombëtar “Kala Festival” këtë sezon u ndal në plazhin e Dhërmiut. 120 DJ më të njohur në botë luajtën muzikë për rreth mbi 2 mijë turistë pjesa dërrmuese e tyre nga Britania e Madhe. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, u shpreh për një verë të magjishme këtë vit.
Për 7 ditë në 24 orë, plazhi i Dhërmiut u shndërrua në arenën më të madhe të muzikës në rajon. Me performanca të 120 DJ më të njohur të botës të vendosur në disa skena përgjatë gjithë zonës së plazhit.
Mbi 2 mijë turistë, pjesa dërrmuese e të cilëve nga Britania e Madhe, ndërsa të tjerët nga rajoni e vende të tjera ndoqen Kala Festival. Ky është një nga eventet më mëdha muzikore që këtë herë zgjodhi si destinacion Shqipërinë.
I pranishëm në një nga netët e këtij festivali ishte edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
“Sot plazhet shqiptare janë mbushur me turistë të huaj. numri i turistëve është i madh dhe ne ndihemi optimistë që vera do të jetë e magjishme këtë vit “, tha për mediat ministri Klosi duke shtuar se ndryshe nga çdo vit, këtë sezon Shqipëria ka 500 festa të organizuara në mbarë vendin.
Organizatorët e “Kala Festival” tregojnë pse zgjodhën Shqipërinë mes shumë destinacioneve.
“Kemi drejtuar festivale në mbarë botën, në Spanjë, Francë, Andora dhe donim një gjë të re. Kerkonim një vend të ri muzikor që të mblidhnim publikun e huaj. Një vit më parë erdha në Shqipëri dhe një miku im më tha që të shikoja edhe këtë vend. Kam qenë në Shqipëri 10 vjet më parë, por vetëm në Tiranë. Nuk i njihja plazhet, erdha i pashë dhe ja ku jemi këtu”, u shpreh menaxheri i “Kala Festival”.
Thotë se do të rikthehet sërish në Shqipëri dhe jo vetëm
“Nëse i pyesni ata që kanë ardhur këtu do t’ju thonë sesa e duan Shqipërinë. Ne vlerësojmë natyrën e mrekullueshme, mikpritjen e jashtëzakonshme dhe ushqimin tradicional”.
“Kala Festival” është i njohur në arenën ndërkombëtare si një festival që zhvillohet në vende të ndryshme, të cilat konkurojnë për të fituar organizimin e tij në vendin e tyre./abcnews.al