Klosi kërkesë për zgjerimin e Parkut të Tomorrit

schedule19:59 - 3 Shtator, 2019

schedule 19:59 - 3 Shtator, 2019

Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit ka miratuar vendimin për zgjerimin e Parkut Kombëtar të Tomorrit. Ministri Blendi Klosi tha se kundër vendimit janë vetëm 10 firmat gurore që ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm në Malin e Tomorrit, të cilat do të kalojnë në skaner nga institucionet përgjegjëse.

Pas rrëzimit të vendimit nga Gjykata Administrative e Apelit Tirane, Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Turzimit, për zgjerimin e Parkut Kombëtar të Tomorrit me 1380 hektarë për të mbrojtur biodiversitetin në zonë.

Ministri Blendi Klosi tha se kundër vendimit për mbrojtjen e malit janë vetëm 10 firmat gurore që ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm në Tomorr, të cilat do të kalojnë në filtër.

Që të 10 ato biznese që kanë aktivitet në malin e Tomorrit janë të gjitha në shkelje të lejeve dhe praktikave administrative të shtetit shqiptar. Sot janë me leje mjedisi të revokuar dhe së shpejti do kalojnë në skaner nga të gjitha institucionet administrative të cilat kanë lidhje me aktivitetin e këtyre guroreve dhe do vazhdojmë të kthejmë në vend një padrejtësi historike që i është bërë këtij vendi”, tha Klosi.

Zgjerimi i Parkut Kombëtar të Tomorrit, sipas ministrit Klosi do të sigurojë mbrojtje edhe për basenin ujor të Bogovës.

“Cilësia e ujit për të tre bashkitë e Beratit, Skraparit dhe e Poliçanit rrezikohet nga veprimtaria e mëtejshme e shkatërrimit të malit të Tomorrit, pasi sistemi i gjithë zonës që po dëmtohet është sistemi filtër për të gjithë basenin ujor të zonës së Bogovës”, tha Klosi.

Në vitin 2012, qeveria Berisha e shpalli malin e Tomorrit zonë të mbrojtur, duke lënë jashtë një pjesë të zonës. Parku i Tomorrit, i cili përmbledh një nga vlerat më të mëdha të biodiversitetit dhe natyrës në vend, me një numër të konsiderueshëm speciesh që rriten vetëm në atë zonë, ka një sipërfaqe prej 24 mijë hektarë./ABC News Albania 24/7