Klosi: Kemi mundësinë reale të presim më shumë turistë

schedule17:14 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 17:14 - 18 Dhjetor, 2018

Ministri i Turizmit e Mjedisit thotë se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të presë akoma më shumë turistë vitin e ardhshëm, por duhen burime njerëzore profesionale menaxhimi. Deklaratën e bëri gjatë një ceremonie diplomimi në Universitetin e Sporteve.

Një turizëm me standarde nuk mund të bëhet pa profesionistë. E nënvizoi ministri i Turizmit e Mjedisit Blendi Klosi në ceremoninë e diplomimit të 16 studentëve në nivelin e dytë të studimeve për menaxhim sporti e turizmi në Universitetin e sporteve në kryeqytet.

“Ne sot kemi mundësinë reale në Shqipëri që të pranojmë më shumë turistë, por pranimi i më shumë turistëve do të thotë pranimi i më shumë shërbimeve dhe kush do të jenë në menaxhim, psh në Federatën Shqiptare të Rafting ne kemi problem shumë të madh. Ka hapësira të dyfishohet, trefishohet, katërfishohet si biznes, por nuk kemi guida. Të njëjtën gjë me alpinizmin, të njëjtën gjë me ecjet në natyrë, me guidat profesionale të cilat ne nuk kemi element të kualifikuar dhe zgjedhja që kanë bërë këto djem e vajza të shkëlqyera është një zgjedhje e drejtë për më shumë punësim”.

Ministri Klosi nuk la jashtë vëmendjes edhe debatin e krijuar ditët e fundit për arsimin e lartë, për të cilin mendon se mbi të gjitha janë universitetet ato që drejtojnë studentët drejt një arsimi më cilësor.

“Unë kam bindjen që edhe në këtë debatin e madh që kemi për reformën e universitetetve ajo cfarë po ndodh në këtë sallë është në fund të fundit edhe thelbi i bisedës. Një grup profesorësh kuptuan realitetin , në bashkëpunim me kompani biznesi arritën të kuptojnë që këtu ka nevojë për një master të profilizimit të studentëve që dalin nga ky fakultet për të gjetur një treg që është bosh, një treg që ka nevojë për kuadër, që ka pagesa të larta”.

Arsimimi dhe orientimi i të rinjve në fushat e turizmit sipas Klosit do të kontribuonte edhe më shumë në zhvilimin e turizmit të vendit tonë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!