Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, mblodhi në Durrës Task Forcën për turizmin. Ai tha se është shqetësuese situata me ujërat e ndotura, pasi 18 subjekte turistike i shkarkojnë ato në gropa septike.
Durrësi po bëhet gati për sezonin turistik, por ministri i Turizmit, Blendi Klosi, foli me tone të ashpra për ndotjen e ujërave dhe gropat septike. Në mbledhjen e Taks Forcës për menaxhimin e sezonit, ministri tha se ky sezon i ri turistik duhet të jetë më i pastër, cilësor dhe i sigurtë.
“Por për sa i përket operatorëve privatë, akoma në bregdetin Durrësit edhe pse në numër të vogël kemi operatorë të cilët nuk kanë marrë leje mjedisore, për sa i përket vënieve në zbatim të kushteve të një kontrate me shtetin. Po ashtu kemi akoma që për sa i përket shkarkimit të ujërave, 223 prej tyre bëhen në kolektor, por 18 prej tyre akoma janë te gropat septike”, tha Klosi.
Sipas tij, Inspektorati i Mjedisit dhe Turizmit, por edhe autoritetet e tjera përgjegjëse, përfaqësues të Task Forcës së Turizmit dhe aktorët lokalë, duhet të shtojnë numrin e kontrolleve, për t’i paraprirë problematikave.
“Akoma nuk kemi një dakordësi të fundit për sa i përket bashkisë së Durrësit, bashkisë së Krujës, për sa i përket orareve të zhurmave. Ku do lejohen zhurmat apo muzika në vende të përcaktuara? Kush mund të jetë një ditë e caktuar, apo një zonë e caktuar që do ketë një tolerim për muzikën. Shitësit ambulantë besoj që bashkia ka marrë një vendim që të bllokojë shitësit ambulantë të jenë në zonën e plazhit”, tha Klosi.
Përpara se operatorët turistikë të kërkojnë të marrin një plazh me qira, duhet të kenë një plan të qartë dhe të rregull për mirëmenaxhimin e tij.
“Do duhet që ata që marrin menaxhimin e një hapësire publike siç është rëra, të kenë dhe detyrimet e tyre sa i përket pastërtisë, higjienës, ruajtjes së plazhit, administrimit me kujdes duke siguruar hapësirën publike dhe private. Të gjitha këto duhet të zgjidhen sot”, tha Klosi.
Të pranishëm në takimin e Taks Forcës ishin dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët premtuan angazhim maksimal për mbarëvajtjen e sezonit veror./ABC News Albania 24/7