Klosi: Ajo që bënë patronazhistët është punë. Lapaj: Filizët e rinj nuk ngrihen dot përballë partive aktuale

schedule21:26 - 1 Qershor, 2022

schedule 21:26 - 1 Qershor, 2022

Patronazhistët janë rikthyer sërish në skenën politike të vendit.

Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi i ftuar në emisionin “Bardh a Zi” në Abc me gazetarët Ornela Gaçe dhe Erion Kristo u shpreh se ajo që ndodhi me patronazhistët është punë. Sipas tij, për të fituar duhet të punosh dhe PS ka filluar përgatitjet për garën e ardhme elektorale.

Klosi: Patronazhistët është një punë. Ajo që bëmë me patronazhistët është përsëri një punë. Duhet punuar që të fitohet, nuk punohet pa punë. Për atë votë duhet punuar që sot dhe ne Partia Socialiste po punojmë fort për garën e ardhshme elektorale. Ne jemi sot në një proces përgatitjesh për garën e pushtetit lokal për një vit. Do thonë prapë pastaj, jo kështu jo ashtu, por ndërkohë nuk po punojnë për të na qenë përballë. Nëse bëni një emision me idenë që këtu çdo gjë është e vjedhur dhe kjo vota nuk ka vlerë. Gjeni hajdutin dhe bjerini hajdutit, nuk ka faj vota.

Ndërkohë juristi Adriatik Lapaj i pyetur nëse vota vidhet në Shqipëri u shpreh se vjedhja është një nocion shumë i ngushtë. Sipas tij, në Shqipëri nuk ekziston një sistem gare.

Lapaj: Vota mund të deformohet duke e blerë, mund të deformohet duke ofruar vende pune, bursa, duke i çuar lekë për tërmetin një personi shtëpia e të cilit nuk është dëmtuar. Çështja është kjo, garojnë dy forca politike dhe njëra fiton. Me sistemin që ne kemi ajo forcë fiton me mediokritet. Pse? Sepse ne nuk kemi një sistem gare sot. Sot është e ditur botërisht që asnjë filizë e re nuk ja del të ngrihet përballë partive politike aktuale. Opozita është mjaftueshëm e dobët përballë maxhorancës, pro mjaftueshëm e fortë për të mos lejuar asgjë të mbijë në këtë vend sepse sistemi është i tillë. Ne kemi një mungesë gare brenda llojit. Listat e mbyllura dhe emërimi politik nga kryetari i partisë bënë që të vritet karriera e individit.

Sipas Lapajt, ajo që do ta ndryshonte realisht politikën në këtë vend, do të ishte miratimi i një ndryshimi të sistemit elektoral që të hapej gara./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!