Manchester City dominoi Premier League këtë sezon, rrëzoi Liverpool nga froni dhe e meritoi plotësisht fitimin e titullit. I treti për Pep Guardiolën në pesë vite, ndërsa të shumta kanë qenë urimet për të dhe djemtë e tij.
Jurgen Klopp, timonieri i “The Reds” dhe njëkohësisht një nga rivalët më të fortë të Guardiolës, e cilëson spanjollin si trajnerin më të mirë në botë dhe suksesin e tij me Manchester City si një recetë e garantuar suksesi.
“Manchester City kreu një punë madhështore, u kam dërguar nga një mesazh urimi Guardiolës dhe Gundogan. Ky ka qenë një vit i vështirë për të gjithë njerëzimin, sigurisht edhe për botën e futbollit, kështu që mbetet unike ajo që arritën të bëjnë ‘Cityzens’.
Kanë fituar pesë kampionate në dhjetë vite. Kështu ndodh kur i ke të kombinuara bukur burimet financiare me njohuritë mbi futbollin. City ka lojtarë të fortë, të cilët drejtohen nga trajneri më i mirë në botë. Kjo është receta e duhur.
Gjithmonë ka qenë një eksperiencë e shkëlqyer të luash kundër tyre, një sfidë e jashtëzakonshme futbolli. Mundësitë për t’i mundur ekzistojnë, por duhet të jesh perfekt. Në vitet e kaluara ia kemi dalë, këtë sezon jo“, theksohet në urimin e gjermanit. /abcnews.al