Liverpool fitoi 2-1 ndaj Tottenham në “Anfield”, duke konfirmuar se kampionët në fuqi mbeten ekipi për t’u thyer në ishull. Goli i Roberto Firminhos në minutën e fundit i dhuroi “The Reds” tre pikë super dhe vendin e parë në krye.
Jurgen Klopp ndihet i lumtur për marrjen e tre pikëve, teksa deklaron se e shijoi përballjen ndaj djemve të Jose Mourinhos, me të cilin pati një diskutim pasi përfundoi ndeshja.
“Zhvilluam një ndeshje të bukur ndaj një kundërshtari tepër të fortë. Ata shënuan, është e vërtetë që patën edhe dy raste të pastra, por, pavarësisht kësaj, ndeshjen e kontrolluam ne.
E merituam fitoren dhe jam i lumtur me suksesin e sotëm. Mendoj se goli i Tottenham ishte në pozicion të parregullt, por nuk ka shumë rëndësi tani.
Në përgjithësi ishte një ndeshje e bukur dhe jam i kënaqur me Firminhon. Luajti një takim shumë të mirë dhe kreu lëvizjet e duhura. Biseda me Mourinhon në fund të ndeshjes? Asgjë serioze, ia shprehu mendimin e tij, nuk pati asnjë diskutim të nxehtë mes nesh“, deklaron trajneri gjerman. /abcnews.al