Jurgen Klopp ëndërron të rikthejë titullin kampion në Liverpool pas 30 vitesh. Trajneri gjerman ia doli të dërgonte ekipin në majën e Evropës, ndërsa tani kërkon “pushtimin” e Anglisë.
Fituesi i çmimit trajneri më i mirë i sezonit të kaluar nga FIFA ka dhënë një prononcim interesant për “Four Four Two”, duke u ndalur tek e ardhmja dhe pasardhësi i tij. Ai është i bindur në zgjedhjen e drejtuesve të Liverpoolit dhe e ndihmon trajnerin e ri sa herë që i jepet mundësia.
“Nëse Liverpool do të më shkarkonte nga detyra, ndoshta Kenny Daglish do të ishte zgjedhja e parë për të më zëvendësuar. Por me shumë mundësi ata do të thërrisnin Gerrard. Unë mendoj se Steven do të jetë pasardhësi im në pankinë. E ndihmoj sa herë që kam mundësi.
E ardhmja? Jam aq i vjetër edhe ekspert për të ditur që më duhet të jap gjithmonë maksimumin për këtë profesion. Nuk jam gjeni, nuk jam perfekt, por jap 100% për klubin tim. Nëse kaq mjafton, perfekt. Nëse nuk mjafton, është një problem që nuk varet vetëm nga unë”, përfundon gjermani i pankinës së “The Reds”. /abcnews.al