Kampionati anglez i futbollit, Premier League ka “rezervuar” një përballje tepër interesante këtë fundjave, teksa në “Anfield Road”, vendasit e Liverpool do të presin “djajtë e kuq” të Manchester United, në një “klasike” të vërtetë të futbollit anglez.
Pothuajse të eleminuar nga Champions Leage, tashmë të “kuqtë” e Jurgen Klopp duhet të fitojnë me patjetër ndaj “djajve”, për t’u afruar sado pak me zonën Champions në kampionat dhe ndër personat që e presin me padurim këtë sfidë është dhe tekniku i Liverpool.
Në konferencën për shtyp ditën e sotme, përpara “përplasjes” me United, tekniku gjerman dukej shumë i entuziasmuar, teksa tha se dueli ndaj United është ai që i pëlqen më shumë nga të gjitha përballjet e Premier League.
”E vlerësoj shumë këtë ndeshje. Dueli ndaj United është ai që më pëlqen më shumë se të gjithë. Zbavitem shumë. Në jetë ka shumë gjëra më të rëndësishme se sa futbolli. Por, kur luhen ndeshje si Liverpool-United të gjithë japim diçka më shumë.
Kjo më pëlqen shumë. Kështu ndodh kur futbolli është gjëja më e rëndësishme për 95 apo 98 minuta. E gjithë bota do ta shikojë ndeshjen. Edhe unë do të bëja të njëjtën gjë po të mos isha këtu. Ndeshje e madhe, mezi po e pres”,- është shprehur gjermani. /i.m /abcnews.al