Timo Werner shënoi një gol të rëndë mbrëmjen e kaluar në Londër dhe i dhuroi fitoren Leipzig përballë Tottenhamit të Mourinhos. Skuadra gjermane nuk është më një surprizë dhe djemtë e Nagelsmann do të tentojnë kualifikimin në çerekfinalet e Champions League në ndeshjen shtëpiake.
Emri i sulmuesit gjerman, i cili realizoi golin e 26-të sezonal, është përfolur shumë për një largim drejt Liverpool në fund të sezonit. Jurgen Klopp e pëlqen shumë 23-vjeçarin dhe është gati ta “rrëmbejë” nga Leipzig.
“Liverpool është skuadra më e mirë në botë në këtë moment, jam krenar për interesimin e tyre. Është kënaqësi, por e kam të qartë se ata kanë shumë lojtarë të mirë dhe unë duhet të përmirësohem për të mbërritur në nivelin e tyre“, deklaron Werner për BT Sports rreth interesimit të “The Reds”. /abcnews.al